Një ditë do me shiheni në Barcelonë
Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova ishte sot i ftuar në emisionin “FanZone” në ekranin e Supersport, ku foli për ditët në karantinë, eksperiencën te Baseli dhe pritshmëritë për të ardhmen e karrierës së tij.
Si i keni kaluar këto ditë pandemie?
Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, jemi munduar të stërvitemi në kushte shtëpie. Tani së fundmi jemi rikthyer në stërvitje me grupin.
A do të vijoni të qëndroni te Baseli?
Baseli nuk e ka marrë opsionin e rinovimit për shkak të krizës financiare. Ata janë prapë të interesuar dhe duan të më blejnë. Kam shumë oferta prej Gjermanisë, Francës, Anglisë, etj. Dëshira ime është që të qëndroj në Basel, por situate nuk është e mirë për shkak të krizës financiare. Kam disa oferta të mira nga Franca, po i shqyrtoj me menaxherët dhe shpresoj që të bëj zgjedhjen më të mirë. Nesër do të vendoset për kampionatin dhe shpresoj të vazhdojmë.
Pika jote më e dobët dhe më e fortë?
Pikë të dobët nuk kam. Pika ime më e fortë është vetëbesimi i lartë. Nuk jam penduar për karrierën, pasi gjithçka ka shkuar mirë, por qëllimi është për të shkuar më lartë.
Mendon se gabove me festimin e golit ndaj Kombëtares Shqiptares?
Festimi ka qenë normal, përshëndetje për të gjithë publikun. Gjesti është pjesë e lojës dhe të gjithë e dinë që unë jam shoë-man. Shqipërinë e dua shumë, i dëshirojë shumë sukses dhe shpresoj të kualifikohen sërish në Europian.
A do të pëlqente të luaje në Superligën e Shqipërisë, te cila skuadër?
Nuk e kam menduar, nuk besoj që kthehem as në Prishtinë. Ndoshta për të jetuar po, por për të luajtur ju. Si qytet më pëlqen edhe Tirana, por jo për të luajtur.
Sa besim keni te suksesi në ndeshjen me Maqedoninë?
Ekipi do luaj për fitore, nuk i dihet kush do fitojë. Ne do të japim maksimumin dhe do luajmë për fitore.
Cili lojtar të inspiron?
Leo Mesin e kam pasur inspirim për mënyrën e lojës. Nejmari është i preferuari im.
Pse i ke fshirë postimet në Instagram?
Kam qejf të distancohem nga rrjetet sociale. Gjithmonë kam qenë i fokusuar në fushën e lojës. Njerëzit mendonin se isha i fokusuar në Instagram. Kur ata flenë unë stërvitem, por ata mendojnë që rri gjithë ditën në Instagram.
Te Kosova keni shumë konkurrencë, pasi luani në të njëjtin pozicion me një lojtar si Milot Rashica…
Unë e kam bashkëlojtar te Kosova dhe është superlojtar. Jam krenar që ka arritur kaq shumë. Unë gjithmonë do t’i ndihmoj ekipit, do jap maksimumin.
Ka pasur shumë pritshmëri për ju. Mendoni se mund të kishit arritur më shumë gjatë kësaj kohe?
Unë jam i ri, 21-vjeç dhe nuk jam kurrë i kënaqur. Unë gjithmonë mundohem për më shumë dhe besoj se kam për të ecur hap pas hapi. Shumica e talenteve që kanë shpërthyer shumë në fillim, kanë rënë. Kam pasur mundësi të shkoj në ekipet më të mëdha në botë, por nuk e kam bërë. Shumë shpejt keni për të parë Edonin e vërtetë. Te Barcelona keni për të më parë ndonjë ditë.