OBSh: Varianti ‘Omicron’ paraqet rrezik ‘shumë të lartë’

30 nëntor 2021 | 08:17

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të hënën se rreziku global nga varianti Omicron është “shumë i lartë” bazuar në të dhënat paraprake, duke thënë se koronavirusi që ka pësuar mutacione, mund të çojë në rritje të rasteve me “pasoja të rënda”.

Vlerësimi nga agjencia shëndetësore e OKB-së, i përfshirë në një dokument teknik të lëshuar për shtetet anëtare, përbënte paralajmërimin më të fortë, më të qartë të OBSH-së për variantin e ri që u identifikua për herë të parë ditë më parë nga studiuesit në Afrikën e Jugut.

Raporti vjenë në një kohë kur po rritet numri i vendeve në mbarë botën që po raportojnë raste të infeksioneve me variantin Omicron dhe shumë vende morën masa të reja kufizimesh përfshirë ndalimin e udhëtimeve nga vendet e Afrikës jugore.

Japonia ka njoftuar ndalimin hyrjen e të huajve në vend, duke iu bashkuar Izraelit që tashmë kishte marrë një vendim ngjashëm. Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kanë ndaluar udhëtimet nga Afrika Jugore.

OBSH tha se ka “pasiguri të konsiderueshme” në lidhje me variantin Omicron. Por, ajo tha se provat paraprake ngrenë mundësinë që varianti të ketë mutacione që mund ta ndihmojnë atë të shmangë një përgjigje të sistemit imunitar dhe të rrisë aftësinë e tij për t’u përhapur nga një person në tjetrin.

“Në varësi të këtyre karakteristikave, mund të ketë rritje të infeksioneve me Covid-19, që mund të kenë pasoja të rënda, në varësi të një numri faktorësh, duke përfshirë vendin ku mund të ndodh një rritje e infektimeve me Covid-19”, thuhet në raportin e OBSH-së. “Rreziku i përgjithshëm global … vlerësohet si shumë i lartë.”

OBSH theksoi se ndërsa shkencëtarët po kërkojnë prova për ta kuptuar më mirë këtë variant, vendet duhet të përshpejtojnë ritmin e vaksinimit të banorëve të tyre.

Ndërsa asnjë vdekje e lidhur me Omicronin nuk është raportuar deri më tani, ka pak informacion të sigurt për këtë variant të ri. Nuk dihet nëse ai është më ngjitës, ka më shumë gjasa të shkaktojë sëmundje serioze ose më i aftë për të shmangur vaksinat. Javën e kaluar, një panel këshillues i OBSH-së tha se ai mund rrisë mundësinë e riinfektimit të njerëzve që tashmë e kanë kaluar Covid-19.

Spanja të hënën u bë një nga vendet më të fundit që raportoi rastin e parë të konfirmuar të infektimit të një personi me variantin Omicron, të zbuluar në një udhëtar që u kthye të dielën nga Afrika e Jugut pasi kishte bërë një ndalesë në Amsterdam.

Ndërsa shumica dërrmuese e infeksioneve të regjistruara në mbarë botën kanë qenë në udhëtarë që vinin nga vende të tjera, rastet në Portugali dhe Skoci kanë ngritur frikën se varianti tashmë mund të ketë qenë duke u përhapur në nivel lokal.

“Shumë prej nesh mendojnë se kemi mbaruar punë me Covid-19. Por, ai (virusi) nuk ka mbaruar me ne”, paralajmëroi Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Disa ditë pasi varianti shkaktoi një frikë të madhe në botën financiare, gati dy vjet pas fillimit të pandemisë së koronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e mbi 5 milionë njerëzve, tregjet patën një reagim të përzier të hënën. Tregjet evropiane të aksioneve u rikuperuan pas një rënie në fillim të ditës dhe tregu i aksioneve në Nju Jork u hap më lart, ndërsa tregjet aziatike të aksioneve ranë më tej./VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në rrjete sociale është publikuar një video me pamje dramatike,…