Pal Ndrecaj dhe “Armagedoni” i dhurojnë libra shkollës “Zef Lush Marku”

17 qershor 2021 | 19:36

Poeti dhe prozatori Pal Ndrecaj, në bashkëpunim dhe participim me shtëpinë botuese “Armagedoni”, sot i kanë dhuruar libra bibliotekës së Shkollës së Mesme të Ulët “Zef Lush Marku” në fshatin Brekoc të Gjakovës. Vlera e librave të dhuruara nga këta dy donatorë është 800.15 euro. Përpos që ka dhënë këtë mbështetje për këtë shkollë, Pal Ndrecaj ka blerë dhe dhuruar lektyra shkollore në vlerë të 577.00 eurove për “Zef Lush Markun” si dhe ka dhuruar disa ekzemplarë të romanit të vet “Lista e zezë” dhe të librit me poezi “Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë”.

Këtë donacion në këtë shkollë e kanë dorëzuar drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj dhe, në emër të Palit, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore i Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj.

Drejtori Kriger Ramaja, së bashku me stafin e shkollës, ka pritur në vizitë mysafirët dhe i ka falënderuar për librat e dhuruara. “Në emër të institucionit tonë shkollor, në emër të mësuesve dhe nxënësve, ju falënderojmë shumë për donacionin që keni dhënë për shkollën tonë. Është nder për ne që ende ka njerëz të tillë, dashamirës të librit, dashamirë të shkollës, të cilët, nga paratë e veta, për nevoja të bibliotekës së shkollës, për nevoja të stafit të shkollës dhe të nxënësve, pajisin shkollat me libra. Ne kemi pasur shumë nevojë për këto libra. Në bibliotekë kemi libra, por janë të vjetruar dhe të dëmtuar. Shkolla jonë ka 431 nxënës dhe kemi nxënës të mirë të cilët shprehin interesim për lexim të librave. Po sa nxënësve, këto libra do t’i hyjnë në punë edhe stafit të shkollës dhe gjeneratave të ndryshme edhe jashtë shkollës të cilat në këtë bibliotekë do të mund të marrin libra për lexim”, ka treguar drejtori Ramaja, i cili, në emër të Palit, i cili ndodhet në Amerikë, kryeshefit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, i ka dhënë një mirënjohje për pasurimin e fondit të bibliotekës së shkollës me libra të ri.

Kryeshefi i Arkivit, Bedri Zyberaj, tha se me kënaqësi e merr këtë mirënjohje në emër të Palit, pasi që atë e njeh jo vetëm nëpërmjet veprës së tij poetike dhe prozaike, por që e ka pasur shok në studime. “Palin e kam pasur shok në studime dhe patjetër që këtë mirënjohje do t’ia përcjell atij. Po ashtu, dua ta përgëzoj Berat Dakaj për këtë nismë, për shpërndarje të librit me donatorë nëpër shkolla të Kosovës, gjithashtu edhe të gjithë ata që e mbështetin këtë iniciativë të tij, pasi që fati i librit shqip ka qenë po aq i rëndë sa edhe fati i kombit dhe popullit tonë. Urojmë që në të ardhmen edhe bibliotekat të kenë ditë më të mira”, ka thënë Zyberaj.

Ndërsa drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj, bëri me dije se nuk i ka kërkuar Palit të bëjë donacion për këtë shkollë, por ka qenë vullneti i tij të blejë dhe t’i dhurojë libra kësaj shkolle. “Një ditë, derisa po kthehesha nga Prizreni në Prishtinë, Pali më kishte shkruar dhe kishte shprehur dëshirë që këtë donacion me libra ta bëjë për shkollën ‘Zef Lush Marku’. Shqiptarit të Amerikës, Palit, nuk i kërkova para për libra dhe për këtë shkollë siç u kërkonte Noli shqiptarëve në Amerikë për Shqipërinë kur kishte krizë të madhe ekonomike. U lajmërua vetë sepse e di rëndësinë e librit dhe gjendjen e bibliotekave të Kosovës. Po ashtu, më tha se ka dëshirë që ky dhurim i librave të kryhet brenda muajit qershor, pasi që deri në fund të muajit përfundon edhe viti shkollor. Ne jua sollëm sot, me shpresë që nesër do t’ju hyjnë në punë”, ka thënë Dakaj.

Jetëshkrimi i shkrimtarit dhe gazetarit Pal Ndrecaj

 

Pal Ndrecaj është shkrimtar dhe gazetar nga Kosova. Jeton dhe punon në Nju-Jork. Lindi më 1960 në Moglicë (Gjakovë). Studioi letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar mësimdhënës i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe dhe gazetar në të përditshmet “Koha ditore” dhe “Zëri”. Shkruan poezi dhe prozë. Ka botuar librat “Lule mbi plagë”, “Akti i krijimit”, “Gdhendja e përmasave”, “Lista e zezë”, “Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë”.


Në fotografi: Pal Ndrecaj me bashkëshorten, zonjën Margarita.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Belgjika e ka përmbysur rezultatin ndaj Danimarkës, pasi tash është…