PAN-i mund ta çojë mandatin deri në fund nëse nuk ndryshojnë rrethanat

08 prill 2019 | 16:19

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka vlerësuar se koalicioni PAN është qeveri e zorit dhe e numrave të pamjaftueshëm.

Megjithatë, ai ka thënë se PSD-ja po ia pamundëson LDK-së dhe Vetëvendosjes paraqitjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka bërë me dije se qeveria aktuale po funksionon keq në një pat pozicion që, si e tillë, sipas tij, nëse nuk ndryshohen rrethanat, mund ta vazhdojë qeverisjen deri në fund të mandatit.

Mirëpo Maliqi ka vlerësuar se situata brenda koalicionit PAN sikur po shkon në drejtim të nevojës për rikonstruktim ose të zgjedhjeve të reja.

Në rast të zgjedhjeve, ai ka thënë se do të ketë disa lëvizje sinjifikative në përqindjet e përkrahjeve të subjekteve politike, për disa afirmuese, për disa të tjerë eliminuese

“Epoka e re”: Z. Maliqi, kryeministri Haradinaj po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si e komentoni këtë vizitë dhe a do të thotë kjo se janë tejkaluar mospajtimet Kosovë-ShBA për çështjen e taksës? Prisni reflektim të kryeministrit për pezullim të taksës pas kthimit nga Amerika?
Maliqi: Për udhëtimin e kryeministrit Haradinaj po thuhet se është privat, jozyrtar, kështu që nuk jep mundësi të bëhen supozimet e bazuara, se po tejkalohet mospajtimi rreth taksës. Gjithsesi, është indikative se ai nuk është ndëshkuar me ndalesë të hyrjes në ShBA, siç përflitej më herët. Por, duhet të shohim a do të ketë kryeministri kontakte me administratën amerikane, qoftë edhe ato jozyrtare, për të nxjerrë konkluza se me Haradinajn po bisedohet. Nga ana tjetër janë bërë mbase më shumë se një muaj prejse rreth taksës nuk po bëhet presioni i koordinuar dhe intensiv ndërkombëtar, çfarë demonstrohej gati për çdo ditë kur Uashingtoni dhe Brukseli dërgonin zyrtarë të lartë për ta bindur qeverinë tonë se taksa duhet të pezullohet për t’ia hapur rrugën dialogut. Por tani, edhe pse dje (të shtunën) kishim një pohim se ShBA-ja dhe Gjermania janë unike rreth pezullimit të taksës, e kam përshtypjen se është humbur jo vetëm koha, por edhe besimi se dialogu mund ta sjellë rezultatin e paralajmëruar për fund të qershorit, para zgjedhjeve për institucionet e reja të BE-së. Uljes së pritjeve i kontribuoi jo vetëm refuzimi dhe kushtëzimi kokëfortë i Haradinajt, por edhe zbehja e ‘entuziazmit’ në Beograd për marrëveshje të shpejtë përmes ‘korrigjimit të kufijve’. Zbehja nuk është shenjë se Vuçiqi heq dorë nga projekti. Jo, ai e do ‘korrigjimin’, por është zmbrapsur pak shkaku i protestave masive të opozitës, të qytetarëve dhe të krerëve të kishës ortodokse serbe, të cilat ia lëkundën pushtetin. Në këto rrethana atij po i konvenon pezullimi i dialogut, pasi fajin për këtë mund t’ia lë Kosovës. Më shumë kënaqet kur po e sheh padëgjueshmërinë e kosovarëve ndaj ShBA-së dhe BE-së, me shpresën se raportet mes Kosovës dhe aleatëve perëndimorë do të prishen edhe më shumë.

“Epoka e re”: Këto ditë fokusi kryesor ka qenë te punësimet partiake dhe kjo ka bërë të tërhiqet vëmendja e opinionit nga taksa dhe dialogu. Prisni dinamikë të re në ecurinë e këtyre zhvillimeve politike?
Maliqi: Tema e punësimeve partiake mbase është hapur si kundërmasë ndaj angazhimeve ashiqare populiste të Haradinajt i cili e shfrytëzoi taksën për rritjen e influencës tek elektorati duke llogaritur se së shpejti, me gjasë në vjeshtë të këtij viti, ose edhe më parë do të mbahen zgjedhjet parlamentare, me shpresën se sërish do të mund të faktorizohet AAK-ja. Popullariteti që e ka fituar Haradinaj me taksën dhe mbrojtjen e guximshme të sovranitetit të Kosovës edhe karshi fuqive të mëdha, tani po rrëmihet nga të dyja anët, edhe nga partitë rivale vendore, ndër to edhe partnerët e koalicionit, si dhe nga ambasadorët e vendeve perëndimore, më hapur nga ambasadori i Britanisë së Madhe dhe ai i Zvicrës, të cilët kundërshtuan pa dorëza nepotizmin dhe punësimet masive partiake si dhe refuzimin e rishikimit dhe korrigjimit të listave të fryra të veteranëve të luftës. Punësimet partiake në poste të rëndësishme, rritja marramendëse e zëvendësministrave etj., pastaj rehatimi i të afërmve politikë dhe familjarë nëpër institucione publike kanë qenë edhe më herët të pranishme, por jo në masën çfarë po denoncohet publikisht sot, kurse qeveria dhe vetë kryeministri po i mbrojnë ato me arrogancë: ‘E kanë bërë edhe të tjerët, pse po na gjuheni në qafë vetëm neve’? Për më shumë dikush tha: ‘Do t’i punësojmë vetëm njerëzit e AAK-së’!

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për qeverisjen e deritashme të koalicionit PAN dhe cila do të jetë e ardhmja e tij?
Maliqi: Mendoj se qeveria Haradinaj në masën më të madhe shpalosi, si asnjëherë më parë, mjerimin e lidershipit kosovar, ku nuk i përjashtoj as partitë opozitare. Janë disa masa dhe projekte të qeverisë që kurdoherë do të hetohen si skandale që kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës. Sigurisht, disa prej këtyre aferave kanë lidhje edhe me vendimet dhe veprimet e qeverive të mëparshme, por kjo qeveri ka tepruar aq shumë sa është vënë nën llupën e opinionit kritik dhe nuk mund të dalë e pastër.

“Epoka e re”: Qeveria po insiston se do ta çojë mandatin deri në fund, ndërkohë opozita po kërkon zgjedhje. Mendoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme këtë vit?
Maliqi: Qeveria e koalicionit PAN është qeveri e zorit dhe e numrave të pamjaftueshëm ose të mazhorancës minimale, që vitin e parë mbahej në pushtet falë votave të Listës Serbe, kurse tash sa kohë bojkoti i Kuvendit nga Lista Serbe si dhe përpjekja e Partisë Socialdemokrate që e rinovuan disidentët e Lëvizjes Vetëvendosje, është bërë faktor mbështetës pa qenë në pushtet dhe ia pamundëson opozitës LDK-së dhe LV-së që të paraqesë mocion të mosbesimit ndaj qeverisë. Pra, kemi një qeveri që funksionon keq në një pat pozicion që, si e tillë, nëse nuk ndryshohen rrethanat, mund ta vazhdojë ‘qeverisjen’ deri në fund të mandatit! Megjithatë, situata brenda vetë koalicionit PAN sikur po shkon në drejtim të nevojës për rikonstruktim ose zgjedhjeve të reja.

“Epoka e re”: Nëse zgjedhjet mbahen këtë vit, në vjeshtë, a prisni të ketë ndryshim të skenës politike, ndryshim të grafikës së radhitjeve të partive?
Maliqi: Nuk kam bërë sondazhe që nga koha e zgjedhjeve të fundit dhe nuk i kam të gjitha faktet relevante për sondazhet që janë bërë nga organizatat e ndryshme dhe që tregojnë se ka lëvizje të disponimit të elektoratit. Besoj se në rast të zgjedhjeve do të kemi disa lëvizje sinjifikative në përqindjet e përkrahjeve subjekteve politike, për disa afirmuese, për disa eliminuese, por më duket se është ende herët për një ndryshim më radikal në aspektin që ka qenë prezent tash e një dekadë: konfigurimi i atillë i skenës që veçon dy a tre subjekte të mëdha, në këtë rast LDK, PDK dhe LV, që mes vete në një a dy kombinime do të mund të krijonin qeveri më stabile, por që mes vete kanë pasur dhe ende i kanë vijat e kuqe për bashkëpunim. Nuk dua të spekuloj, por mund të them se nëse mbahen zgjedhjet gjatë këtij viti opinioni do të shpresojë ose vlerësojë si sukses nëse do të demontohej qeverisja aktuale e faktorëve të luftës. Këta faktorë janë komprometuar në politikë dhe është koha që të kemi një qeverisje të paqes, edhe pse nuk po shoh alternativat serioze për këtë. Ndoshta kanë të drejtë ata që thoshin se pa LDK-në nuk do të ishte i mundshëm ndryshimi i kursit të qeverisjes, por unë kam dyshime se LDK-ja mund të jetë bosht i mjaftueshëm për këtë. Do të kisha dëshirë që Partia Socialdemokrate, ndër themeluesit e së cilës kam qenë para gati 30 vjetëve, të kontribuojë në këtë këndellje dhe krijimin e një qeverie të përgjegjshme që kujdeset për zhvillimin, por anketat duken të pamëshirshme sepse konstatojnë se PSD-ja nuk do ta kalojë as pragun zgjedhor. Unë besoj se, megjithatë, kjo parti do t’ia dalë të konsolidohet. Do të ishte e dobishme nëse në reformën zgjedhore do të hiqet pragu prej pesë përlindësh për të cilin fajtor është Veton Surroi, që tani bllokon depërtimin e partive të vogla me programe alternative.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nxënës të shkollave fillore nga qytete të ndryshme të Republikës…