Për Goli Otokun dhe rrëfime të tjera

26 janar 2023 | 14:46

Bisedë me Avni Lamën (3)

Në banesën e Avni Lamës, Prishtinë, 22 dhjetor 1999.

Me ne janë edhe bashkëshortja e Avniut, Atifetja dhe vajza e tyre, Vlora.

 Kur hetuat shenjat e para të ndjekjes dhe që duan t’ju arrestojnë?

– Për këtë duhet t’i kthehemi kohës kur isha profesor i gjuhës, me grupin letrar. Shefqet Canhasi e Sokol Dobruna aty ishin me grupin letrar dhe puna ecte mirë. Gani Luboteni u frikësua dhe më tha, mos eja, të lutem, se më burgosin edhe mua. Ti ruaju në Gjakovë e unë në Prizren, më tha Ganiu. Me ardhjen e Dushit (K. Kusarit) u bëmë më të fortë, edhe ishim komshi. U bë shok i mirë dhe një patriot i mirë. Ne, disa, nuk mund të bëheshim shokë me këta të regjimit. Ata kishin aversion ndaj nesh, por edhe ne ndaj tyre. Bedriu ishte në klasë të shtatë. Vëllai më i madh erdhi dhe u regjistrua në gjimnaz. Drejtori më dukej më spiunonte, por gjithçka nisi kur e rrahu këtë vëllanë tim. Shkova e i thashë, pse e ke rrahur, e ai tha; Jo diçka me inat, por për disiplinë. Edhe babai e kërkoi një ditë drejtorin për bisedë, por nuk e gjeti. Një ditë më tha se, nëse më kishte mbetur hatri, atëherë ti bëje punën tënde e unë timen.

Pse Voisllav Dançetoviqi vinte si kryetar komisioni i maturës, gjith­monë në Gjakovë? Një herë ka qenë në komision mature edhe Xhevdet Pula, kimist. Ai Dançetoviqi vinte se kishte për të ngrënë pa paguar çka të donte. Në Beograd nuk kishte çka të bënte. Një herë po më thërret Ibrahimi. E kishte marrë një hartim. Po i thotë drejtori një profesori tjetër, shiko sa i mirë ky nxënës, e Avniu i ka dhënë 2 plus (e gjysmë) notën. Ai profesori po shikon e nuk po flet. Unë vetëm përgjoja. Po thotë, kush është ky që i vlerëson hartimet kështu?

Pasi vinte Dançetoviqi, Ibrahimin e kishte një dëshmitar të mirë.

Në atë kohë kishim nxënës të mirë, që mësonin e ishin aktivë kudo, edhe në aktivitete të lira. Për këtë edhe ne ishim krenarë. Ishim entu­ziastë. Në një klasë ishte dhe Bedriu. Në një rast, Ekremi (Murtezai) mes dy paraleleve i lë për vjeshtë shumë nxënës. Çka u bë kjo punë? Po bisedoj me Kadriun. Më është mbushur mendja të shkoj te Nexhip Shala në Pejë, se ai në atë kohë ishte përgjegjës për arsim i rrethit. I them, nuk i kemi punët mirë. Nuk di çka i kam bërë atij njeriu!? U ktheva nga Peja. Isha lodhur dhe po pushoj para shkollës. Një nxënës e kisha lënë për vjeshtë. Formuan komision; Besimi dhe Kadriu. Besimi ka qenë i izoluar prej nesh. Më dhimbsej Kadriu. Po e pyesin me gojë atë nxënësin. Nxënësi doli i dobët në komision. Kishte aty plot arsimtarë. Edhe drejtori ishte aty. Unë si spektator.

S’ishim parë fare me Dushin. Nexhip Shala ishte aty. Kisha bise­duar me të disa orë përpara. Shkova pas mësimit atje. Llaza, ai i UDB-së aty, hetuesi im i ardhshëm. Tha, ju kam thirrur të bisedojmë. Kam dëshmi të vërtetuara se Avni Lama ka bërë këtë e këtë. Dësh­mitar, një korrier i shkollës, Aca. Mirë, more Ibrahim Zherka, kur ka ndodhur kjo? – i thashë unë. Tha, para tri dite. Unë e kam nxënëse atë dhe ia njoh edhe familjen. Ma ka marrë librin Bagëti e Bujqësi. Naser Doli, ua ka dhënë librin, e nuk po ia kthejnë. Masari ishte ai që përcillte njerëzit. Ishte edhe i vëllai i Fadilit, ai injoranti, Saniu. Ekremi e mori fjalën dhe tha: Avniu e ka hapur fjalën se unë jam spiun. E tash po ta them, se je përnjëmend spiun, i thashë shumë qartë. Dushi (Kadri Kusari) i tha, turp të kesh.

I thashë, nuk është koha e partizanit. Nuk është OZN-a këtu. Ibrahimi i ka pasur krejt këto të shënuara në defter. Edhe unë i thashë do t’i çel defterët e mi për ju dhe atëherë do shohim se çka do të thoni? Edhe kryetari i komunës tha, e lëmë mbledhjen. Jo, u thashë, i qesim gjërat. Unë do të t’i tregoj çka ke bërë këtu e në Prishtinë, i thashë Ibrahimit. E mbyllëm. E kishin pasur në plan me më vinin kurthin. M’u mbush mendja t’i bija në shkallë. Dushi më pa dhe më tha, për ta rrahur, e rrahim së bashku. Dikur i thashë, mos se po biem në nivel të ulët. Ishte viti 1959.

Duhej të fillonte matura. Të nesërmen i mbajta dy orë. E kuptuan edhe nxënësit, sepse shihej distancimi apo kush është ballist e kush komunist.

Kaloi matura. Sot e ndiej veten mirë që i nxora ata nxënës të dy paraleleve. Erdha në Prishtinë, pa dhënë dorëheqjen. Në Radio, si lektor i lajmeve. Pas nja dy javësh ma dërguan ftesën. Mora ikën. Nuk kisha bërë asgjë. Çka kisha bërë? S’kam nevojë të mbyllem. Nuk erdha në Radio. Më kujtohet Petrit Dushi, që më pat thënë sinqerisht, është dashur të vini në Radio, për të humbur sado pak gjurmët.

Arrestimi!

– Më 14 qershor i lëshonim nxënësit maturantë, në mënyrë që të mund të përsërisnin mësimet. Ishte një orë këshillash me nxënës maturantë dhe, ja, dy veta hynë në klasë me revole. Sllaviqi ka ardhur drejt tek unë, ndërsa ai tjetri qëndroi në derë. Nxënësit janë ngritur në këmbë, ndërsa ai më ka thënë serbisht: “U ime naroda” (Në emër të popullit). Një nxënës ka thirrur me zë: o profesor, nëse është nevoja të gjithë do të vijmë me ty në burg. Ibrahimi rrinte pak tutje. M’i lidhën duart. Po më çojnë te librat që kishim. Donin të konfiskonin ato që duan ata. Ibrahimi u tha ka edhe një dollap tjetër. Me kanë marrë e me kanë nxjerrë nëpër korridor. Më dërguan në seksionin e punëve të brendshme. Voja më kontrolloi dhe m’i ka zgjidhur duart. Ma ka prezantuar gjykatësin e shkallës së dytë. Kanë filluar pyetjet. A jeni ju që krijoni probleme ligjore?

A je ti që anon nga blloku socialist sovjetik. Jo! A je ti ai që shpër­ndan tekste të Shqipërisë. Nuk më intereson as politika e Jugosllavisë, as e Rusisë. Ti shpjegon më shumë histori se gjuhë. Jo! Mbaruan pyetjet. Më dërguan në qeli. Nga perëndimi i diellit, me sollën prapë te gjykatësi dhe ma ofruan një letër. Me dënojnë 2 vjet, si njeri të rrezikshëm për sistemin politik. Tash të tjerat i thonë hetuesit, e unë i thashë nuk e nënshkruaj atë vendim. Ti ke kërkuar gjyq, e ai gjyq është yni. Çka janë ata dy vjet, dërgohet në burg përmirësues. Më çuan në qeli. Në mbrëmje, sërish në pyetje. Thashë Ibrahim Zherka, Ekrem Murtezai, Minir Canhasi, dëshmitarë janë, më lejoni të shkoj të mbyll notat se i kam pa mbyllur. Po, ke të drejtë për nota, por ta sjellim ditarin, këtu e kryen atë punë. Çka ke bërë në gjimnaz me atë grup letrar? Më ra shuplakë disa herë dhe me dërguan në qeli. Në mbrëmje, natën më merrnin në pyetje. Si kam shkuar, më ka kapur për fyti. Jam ulur në një karrige. M’i kanë lidhur duart. Më kanë rrahur. Burri të rrahet, ishte diçka e zorshme. Ma sollën do ujë! E dimë kush je ti! Po kush ta sjell ditarin ty? Po kush je ti? As nuk dinin të bënin pyetje. Vetëm prano çka të pyesim! Unë nuk dija çka të pranoja.

Më dërguan në Beograd.

Atje filluan të më merrnin në pyetje dy hetues, në Burgun Qendror (serbisht: Centrallni Zatvor) CZ. Ata hetuesit ishin me moshë, diku mbi 60-vjeçarë e më tepër. E njihnin pak historinë tonë.

A dini ndonjë me emër?

– Jo! Nuk prezantoheshin. Më morën për shumëçka në pyetje. Nuk më rrihnin! Nuk dija çka po bëhej me mua. Tash thosha, mos po m’i japin dhjetë vjet burg. Më kanë pyetur; çka mendon për Konferencën e Bujanit? A je ti historian, a? Jo, jam profesor i gjuhës shqipe. Ne e njohim Tropojën e Kolgecajt, po më thonë! Thosha, po çmendem pa gjumë! Ushqimi që na e jepnin ishte fort i dobët. Fasule, pesë kokrra. Na jepnin kinse gjellë me lëvore patatesh apo shtatë-tetë kokrra fasule në atë tas që mund t’i numëroja. Bukë që nuk e dija çka është. U bëra fitil. Çdo herë më merrnin në pyetje natën. Kur më dërgonin në qeli, nëpër disa korridore që dukeshin pa fund. Pastaj më merrte hetuesi për krahu e më thoshte kapu për meje dhe duhej të rrëshqisja deri të njëfarë sheshi. Në shesh me rrokte njëfarë korrenti, e prej aty në qeli. Sa herë me nxirrnin nga një dhomë, e shihja diku qiellin në katror. Edhe ditën m’i kanë bërë ato pyetje. Më mbanin dy orë në zyrë e më thoshin, mendo për këtë a për atë. Në një dërrasë me tela, më shtruan një plaf dhe një tjetër për mbulesë. Ditën na i merrnin plafet. U lodha fort. Një natë po u them, o burra, me lini t’ju them diçka.

Më thotë: Do të marrësh mbi 10 vjet. Ti ke organizuar përmes grupit letrar këtë organizatë e këtë. Qe një javë, nuk kemi të shënuar asgjë në letër, po më thonë. U thashë, me këta dy që i kam dëshmitarë, me këtë Ekremin, kemi folur vetëm tungjatjeta. Me këtë tjetrin, nuk kam fol kurrë. Ai e ka babën hoxhë. Kurrfarë marrëdhëniesh nuk kam pasur asnjëherë. E ky tjetri? – po më thonë ata, na jep dëshmi kur të duam ne. Problemin e dhunimit, nuk ma kanë përmend fare. Për këtë ka thënë, lërini ato fëlliqni. Në atë moment, njëri më ka rënë në kokë dhe kam rënë në tokë. Kur kam ardhur në vete, e pashë që më kishin lagur me ujë. Ai që më kishte goditur, po i thotë këtij tjetrit; unë kam gabuar, ka kush e rrah këtë. Kur i kanë sjellë do halabakë e të më kanë fshirë përpara.

Po më thotë, krejt juve që shkolloheni, ju verbohen sytë duke shikuar andej nga Shqipëria, për ta bashkuar Kosovën me Shqipëri. Ty do të të verbohet njëri sy. Kisha urrejtje sa nuk ka për atë njeri. M’u kujtua diçka që kisha dëgjuar në Malësi; se malaziasit kanë nga një sy qorr, duke shikuar andej, nga begatitë e Shqipërisë. Ata janë të përmalluar për të dalë e për të pirë duhan atje mbi Shkodër. I thashë, a je ti malazias apo serb, apo të dy jeni serbë? Ky që më ra mua, më tha se ishte malazias. I thash; ju malaziasit e keni nga një sy qorr duke shikuar andej nga Shkodra. Ashtu a? Tha ai! Ti si pravi albanac, më tha serbisht: Ti je shqiptar i vërtetë. Ma shau nënën. Sa larg ke shkuar, he nënën ty…, më tha prapë serbisht… E bëri një pauzë! Unë i thashë, pse po më shan? Ia shava edhe unë një mijë nëna malazeze. Edhe më tha përsërite!… Ia përsërita! Më kanë çuar në qeli. Atë, të cilin e shava, nuk e kam parë dy javë.

M’i kanë tregua deklaratat: Ibrahimi dhe Ekremi, për mua kishin dhënë deklarata gati të ngjashme. Jo grupi letrar, jo kjo puna e tij kështu e ashtu. Aty ma kanë lexuar deklaratën e Shemsedin Murselit. Edhe vetë e kam marrë dhe e kam lexuar atë deklaratë. Atë që ka thënë Teki Zhaveli, të Ekremit e të Ibrahimit… Tjetër deklaratë nga Ismeti, Shemsiu. Një deklaratë edhe prej Ali Podrimes, të cilin e kam favori­zua shumë. Kjo deklaratë nuk ka qenë e keqe. Jep ai vlerësimin si kam punuar unë dhe si e lidhi letërsinë me Shqipërinë. Ka shkruar krejt çka u kam dhënë literaturë nxënësve. Referatet që ua kam dhënë t’i punojnë. Si i kam shtyrë të lexojnë. Kur kemi bërë referat “Gjakun e papastër” mbase ka pasur edhe Selman Riza diçka, por nuk e kanë cekur aty. Krejt ishin paraqitur se si unë po bëja ndarje të reja. Se jam njeri që me atë grup letrar kam zbuluar edhe talente të reja në qytet. Mund t’i kenë detyrua të flasin e të japin deklarata. Ku ta di unë. Kur kam dalë nga burgu, ka qenë një dosje bukur e trashë dhe e madhe. Kur jam kthyer nga burgu, më nuk mu kanë afrua për të biseduar nga frika, asnjë prej tyre.

Mos e kanë pasur ndjenjën e fajësisë?

– Ndoshta edhe ka qenë ndjenja e fajësisë! Por, kur jam kthyer unë, një pjesë e tyre kishin ardhur të punonin në Prishtinë. Ibrahimi ishte caktuar si instruktor për çështje ideologjike të teksteve në Entin e Botimeve. Ai, pas disa muajsh, u bë kryeredaktor i Rilindjes. Ekremi kishte ardhur këtu, ishte bërë sekretar i Fadil Hoxhës. Pastaj u bë drejtor i shkollës marksiste. Shkruante tekste për marksizëm. Nuk më kanë folur se janë frikuar. Më ka ndodhur në pazar ta takoja një herë, kur isha vetëm, por është shmangur. Kisha vetëm dy shokë: Kadri Kusarin dhe shoqen. Dilja me shoqen, por askush nuk m’u është afruar. Një ditë pazari, në Çarshinë e Madhe, e kam parë Ramiz Musën tek po vinte. I them, O Ramiz, Ramiz, mos e thyej rrugën, se unë nuk jam Avni Lama!?

Çka më ka ndodhur me çikën time, në vitin 1975?

Po kaloja pazarit, e ata shitësit aty po ma bëjnë: “Ti nuk je Avni Lama”! A mban mend kur i the Ramizit, kthehu, mos u tut, se nuk jam Avni Lama! Më ndalën pak aty. Çika u frikua, se ishte e vogël.

Sa zgjatën hetimet?

– Hetimet shkuan, por nuk kam nënshkruar asgjë. Dy muaj kanë zgjatur hetimet. Ke për të nënshkruar! Me rroknin dorën me zor. Më kanë kthyer nga Beogradi në Gjakovë. Këtu, shumë më tepër më kanë torturuar. Me kanë futur në xhip. Nuk po e njoh unë Ibër Haskajn, që ishte edhe me njëfarë milici. Isha diku 28 vjeç. Jemi nisur për Pejë.

Pa shkuar të fabrika e tekstilit “Emin Duraku”, ka dal aty një tjetër njeri e më kanë kthyer, më kanë futur në një qeli. Në qeli ka ardhur Ibër Haskaj. Më ka thënë: Avni, na jep vendimin se po na duhet diçka. Më nxorën jashtë e m’i lidhën duart dhe po pres aty të seksioni i punëve të brendshme. More, kthema vendimin, i thashë! Unë e kam vendimin, më tha ai. Ma kanë marr vendimin e më kanë futur në autobus. Duart lidhur. Një çantë që pata, e mbante ai milici. Ibër Haskaj hipi përpara, e ky milici qëndronte afër meje. Po më shikojnë njerëzit nga kureshtja. Isha dobësuar shumë. Në Deçan, një shok imi i shkollës, Burjan e ka pasur mbiemrin. Kur më ka parë, ma ka sjellë një pako duhan e një tortë ëmbëlsirë, po ai milici e kuptoi, e mori duhanin, e futi në çantën time, që e mbante. Milici po i thotë; ik, merri këto. Ishte diku 14 gusht. Më zbritën në Pejë nga autobusi, mu afër korzosë. Ibra më ka thënë, ec trotuarit. Njerëzit kishin filluar të dilnin, po më këqyrin mua ashtu. Në ata hapa, më është afruar Ahmet Kelmendi, më ka thënë me zë, Avni, qysh je? Këtu m’i patën lidhur duart mbrapa. Me çuan te burgu i vjetër. Prej aty, me morën me njëfarë xhipi e më çuan në stacion të trenit. Po ai milic me shoqëronte. Ai milici ishte paksa i vjetër dhe më shikonte me dhembje.

A e dije ku po të çonin?

– Jo! Më futën në një kupe! Treni i shpejtë për Beograd. Ky që më shoqëronte, aty po më tregon se Haskaj është nga Isniqi, mësues, dhe tash e ka zënë vendin e Vojes, se ai ka shkuar në detyrë të re në Pejë. Ai Voja është dënuar 10 vjet burg pas Plenumit. Edhe ky Ibra u dënua. Bile, ky milici më thoshte të rrija urtë, të zgjidh.

Ishte hera e parë që e shihja atë natë Haskajn. Po më thotë serbisht; “albanska obaveshtajna slluzhba”. Ai kishte ardhur katër ditë përpara. E ka zëvendësuar atë serbin dhe ka mbetur t’i ndjekë studentët. Më ka thënë, kam qenë një mësues i mirë, por e kërkoi nevoja dhe ja ku jam tash. Pa mbërritur në Beograd, aty diku, u ndal treni, hynë dy plaka në tren dhe drejt e në kupenë ku isha unë. Pas shumë fjalosjesh, i nxorën ato, duke u thënë se është ajo kupe për të burgosur.

Kemi udhëtuar nga Beogradi për Zagreb. Unë lidhur me milicin, po dalim të pinim ujë në Zagreb. Plot njerëz dëgjoheshin tek po thoshin; kush kë e paska lidhur? Të pinim ujë në njëfarë shatërvani aty. Milici e mbushi një enë. Sapo dolëm nga treni, po më thotë ky milici; Avni, mos tento të ikësh. Jo, i them, se për dy vjet burg nuk i hy asaj pune. Nga Zagrebi, shkuam për Rijekë. Po më thotë, çka do të hash? Tash duhet të të dorëzoj aty. Nuk pranova të haja asgjë. Na ka çuar në një burg të moçëm, që ishte sigurisht nga koha e Austro-Hungarisë. Po dalin aty dy milicë. Ibra flet me ta. Kuptova kur u tha serbisht: “u najgoru qeliju” (në vetminë më të rëndë). Aty i thashë sërish, ama vendimin! Më tha, këtu e ke. Ta japin ata. Po ti ma ke marrë, bre! Më futën brenda në një dhomë. Aty, derisa po flisnim shqip, na kanë dëgjuar ata të burgut që na prisnin.

Po më pyesin, çka kërkove prej atij shoqëruesit tënd?

U thashë, kërkova vendimin! Pse, nuk ke vendim, a? Çka ke punuar ti? Profesor i diplomuar në gjimnaz. Ku e ke kryer? Në Beograd! Bukur! Çka kishte ai me ty? Ai më ka shoqëruar! E pse tha të të fusim në vetminë më të rëndë? Nuk e di! Ashtu si ma kanë dhënë vendimin në Beograd. Merreni, u tha atyre që prisnin! Me çuan në një dhomë me dy shtretër. A ke pare (lekë), më kanë pyetur? Orën e dorës ma hoqën. Cigaret, më thanë, merri. Më ndihmuan të zhvishesha. E mora një gazetë aty. Më thonë, zgjidh shtratin cilin do ti dhe kur të duhet diçka, mund të trokasësh këtu. Nga ato që kisha kaluar, tash më dukej diçka e re aty. Për nevojë, po dihet, kur erdhi koha. U lava, më rruan. Të nesërmen, shëtisja. Shihja vetëm qiellin. Nëse doni, mund të zhvisheni, të rreziteni gjatë shëtitjes. Kaluan disa ditë. Në ditën e katërt, njëri me luti për çaj. Nuk e mora. A doni të lexoni? Po! Diken­sin, apo Shekspirin? Ma jepni “Vëllezërit Karamazov”. Ma sollën librin. Bukën e sillnin me rregull. Kishte edhe ëmbëlsirë çdo të dytën ditë. E sollën një njeri në dhomën ku isha unë. Po më flet serbisht; unë jam Alija Qemaloviq. Për çka je dënuar? – e pyeta! Jam ekonomist, kam qenë sekretar komiteti i Mostarit. Ishte paksa më i vjetër së unë. Nuk hyja shumë thellë në bisedë. Po më thotë; ju shqiptarët jeni besnikë. Ky burgu kishte qenë i tipit ushtarak. Po më thotë, ruaju se tash të dërgojnë diku tjetër. Na kanë marrë e na kanë futur në një anije, nja gjashtë orë. Na futën në njëfarë kabine. Ky Alija po më thotë; a kam besim të të them diçka? Më vonë, më ka pas mbetur edhe shoqëri me të. Më tha, kur të hymë në Goli Otok, bëhet rreshti dhe na rrahin të gjithëve me rend. Ruaju nga pak si të mundësh, tërhiqe trupin ngado, për t’i shmangur goditjet!

Na morën me barka motorike. Në barkë më nuk mund të bisedonim asgjë.

Sa milicë ishin në barkë?

– Katër milicë ishin në barkë! Na të dy ishim të lidhur.

Sa të burgosur ishin aty, kur arritët në Goli Otok?

– Kanë qenë diku 400 të burgosur. Ishin rreshtuar, na sillnin me rend, prej aty ku zbritem e deri në barakë. Po vjen një i burgosur me një dajak të madh. Edhe ai ishte ndalur tek unë, e një tjetër te ky Alia. Sjell sa mundet trupit. Na bënë krejt me pluhur, baltë e fekale, aty ku na rrihnin. Ishin do çezma aty. Po shkoj të lahem. Kur njëri po më thotë, ku do ti, he nënën? Po shkoj të lahem pak. Po çfarë larje, bre! U terëm në diell ashtu. Me kanë çuar në një dhomë. Na kanë lejuar vetëm duart t’i lanim edhe fytyrën, disa ditë me radhë. Pastaj na çuan në një si karantinë e na i hoqën teshat që i kishim. Kisha njëfarë infektimi në këmbë! Kur e kanë parë, menjëherë kanë intervenuar. Ku të dish, kanë thënë i infekton këta të tjerët. Pa anestezisë, ma kanë hequr dhe aty, nga dhimbja, me ka rënë të fikët. Vetëm kur e kam parë veten në shtrat. Pas një infektimi dhe shërimi, pasi kalova 21 ditë në karantinë, me kanë kthye në atë llogor.

E kam parë Rexhë Kosovë Balën, e kam njohur, por edhe Isuf Bali­demën. Ishin të dënuar nga dy vjet. E kam njohur edhe Halit Brez­nicën. Me ta kam qëndruar derisa e kryen burgun. Ata ikën, e unë mbeta vetëm me Isuf Balidemën. Pastaj iku edhe ky. Mbeta i vetmi shqiptar në atë llogor. E njoha një tjetër të burgosur, që i kishte bërë gjashtë vjet duke e dënuar tri herë radhazi nga dy vjet. Njëfarë Milivoje Pajkiq, anëtar i Këshillit krahinor nga Rrethi i Prizrenit. Alija me pat thënë, bisedo me të shqip. E di ai shqipen, se shqiptarët e kanë rrasur në burg. I ka pasur afër 60 vjet. Ai kishte pas thënë se Kosova është koloni. Më shikonte sikur fëmijë. Atë e kishin dënuar si Informby­roistë. Edhe ai e kreu. Mbeta vetëm.

Ishte viti 1961 deri 1962. Dy muaj që isha në burgun e Beogradit (CZ), edhe bëhen dy vjet.

A bënit ndonjë punë aty? A kishte kroatë? A mban mend ndonjërin me emër?

– Po! Ka qenë kryetari i partisë fshatare kroate, Stipe Herceg, jurist i diplomuar. Babanë ia kishin vrarë si ustash. Një pjesë e tyre ishin të shkolluar në kishë, por ka pasur juristë e ekonomistë dhe dy mjekë. Me ta jam shoqëruar dhe kemi biseduar.

A ka pas serbë e malazezë?

– Po! Me ta nuk jam shoqëruar.

Si silleshin ata ndaj jush?

– Për këtë më ka folur edhe Milivoje. Më ka thënë, të kesh kujdes kur flet me ta. Ata ishin si informbyroistë dhe nuk isha koleg për ta. Disa prej tyre ishin bërë krejt të hallakatur. Më thoshin, serbisht, “mladi ballista” (ballist i ri). Kishte njerëz pleq, të rraskapitur. Serbë, por ka pasur edhe malazez më shumë. Pas një jave, po më thonë; a i ke mësuar rregullat e burgut? Aty, njërit që i thoshin shef i UDB-së, ishte edhe njëfarë Rexhepagiqi afër 65-vjeçar. Në luftë e kishte humbur këmbën. Ecte me një këmbë. Më thotë, me leje, ti ishe shtetas i huaj. Kur do të dalësh, thuaj, veç mos më çoni në Shqipëri, se edhe në Kinë pranoj. Më tha, po ta bëjë një ankesë prej këtu, nëse ju ma lejoni. Edhe unë u thash që ma kanë marrë vendimin dhe këtu e kam. Jo, ti e ke vendimin për të të mbajtur ne këtu, po më thotë ai. Jo, nuk kemi të të japim vendimin që ta kanë dhënë ata.

Po, i pata pyetur edhe milicët dhe ata më kanë thënë që nuk ke vendim. Sidomos më kujtohet njëri, që ishte epror e më thoshte, si është e mundur që nuk ke vendim? Po nuk guxojnë të të sjellin këtu pa vendim. Shante sa mundte. Po, i them Alijës, kështu më kanë thënë. Mua me thërrisnin “allbanac”. A është këtu ai “allbanaci”? Ai që ishte njëfarë hetuesi i UDB-së, më quante kështu. Alija më thoshte, këta të thërrasin pas një muaji a pas dy javësh, të rrahin e të çojnë atje ku po bartin gurë. Nuk ishin gurë të lumit, por shkëmbinj të thepisur dhe punohej pa dorëza. Këpucët prisheshin për një ditë. Kishim një herë në javë të laheshim në det. Dy a tri herë jam larë, sa kam qenë për dy vjet. Shumë herë më kanë dënuar pse nuk e kam ndrequr shtratin si duhet. Jemi larë me roja. Aty mund të laheshim edhe në muajin tetor. Alija më thoshte se ata mundohen të të thyejnë.

Mbas dy muajsh, hajde, më thërrasin në drejtori. Shkova në atë barakë. Ky shefi i UDB-së aty. Ai nuk ma qëllonte në emër fare. Ma ofroi një shpuzore për duhan. Po dikur i them, unë nuk jam ai Lamiqi. Po të them Lamiq, e ti nuk po flet fare, më thotë ai. Unë nuk jam i marrë. Ai po thotë, ani mirë. Prisja të ulesha aty, por nuk guxoja pa thënë ai. Po ma ngjet për krahu e po më thotë; ku je bukurosh. Po më thotë, sa të jeni këtu, ke për t’u thirrur ashtu si themi ne. Lamoviq a Lamiq. Kur të kthesh atje, në atë vendin tënd të dhjerë, atje le të thërrasin Lama. Çka t’i bëja këtij? Këso kurthesh kisha provuar. Po mendoj, t’i them mos je edhe luftëtar i Spanjës? Sa vjet i ke? -e pyeta. Tha, 68 vjet. I thashë, është turp që një njeri që ka marrë pjesë në luftë që në ’41 të flasë kështu. Si mund të më thoni ashtu, ai Kosmeti i dhjerë. I thashë serbisht: “Ja sam beogradski student”! (Jam student i Beogradit). Kam mbaruar fakultetin në Beograd, pa ditur as serbisht. Po më thotë, me vjen keq. Po, i them; si mundet një komunist të më thotë kështu? U kthye e po më thotë serbisht; ti je ballist. Po i them se unë asokohe kam qenë fëmijë. Po më thotë; nuk me ka ofenduar kush sa ti! Unë nuk i kam dy muaj që jam këtu e si të ofendova?

Po ti kur ke ardhur, po më thotë ai, mos të kishim dhënë ndihmën e duhur, kishe vdekur menjëherë, në çfarë gjendjeje ke qenë. Po pse të kam ofenduar, more? Tha, më ke quajtur komunist. Nuk jam unë komunist. Ti nuk ma sheh mjekrën. Unë jam çetnik. E shau Leninin e Stalinin, edhe Enverin edhe Titon. I kërkova falje. Hala nuk më kishte thënë të ulem. Atëherë i ra ndër mend e me lejoi të ulesha. Kur jam ulur, më ka rënë shpullë e ka thënë; ku ka komunizëm këtu? Po më thotë, pse nuk e ke këqyrë punën tënde e të jetosh si profesor tamam!? Thirri rojën dhe u tha të më largojnë prej aty, por nuk e dija ku po më çonin. Mbas barakës. Po vjen aty një njeri cullak, me një guri në shpinë lidhur me një tel. I rridhnin djersët, gjaku nëpër këmbë e duar. Ai eprori, kishte dalë në dritare e po më shikonte se si po reagoja unë, duke parë atë të burgosurin me gur në shpinë. Po më thotë nga lart; si po të duket ky? Aty kam gabuar e i kam thënë se kjo i ngjan kohës së inkuizicionit. Ashtu, a? Ma sillni këtu në dhomë. Më kanë dërguar serish në atë dhomën tek ai çetniku. Ai tash më thotë; Ti je një enverist i ri. Tash ballistët janë enveristë. I ka hapur syzat, aty revolet ku ishin, dhe më ka thënë, shikoi mirë, këto të presin. A kuptove, mendo vetë. Mendo, ik prej këtu, kudo. Unë thosha, duhet ta vuaj dënimin. Po çfarë dënimi, bre? Prej këtu, të çojnë ku të duan. Vetëm mos harro se mjekrën e kam deri në shokë. Tash për ty jam çetnik. Mos më thuaj më komunist. E thirri rojën të më hiqnin prej aty. Alijës nuk mundja t’i tregoja. Vonë i kam treguar. Nuk kisha besim. Ishte atmosferë shumë e rëndë. Tek bartnim gurë, ai eprori vinte e më thoshte, si jeni profesor, si po shkon puna? Po kalonte koha, erdhën shumë kroatë. Po vijnë edhe shqiptarë. Sollën një kolonel malazias, që kishin pas ikur në Bullgari me nja dhjetë pilotë të tjerë. E sollën Veliçkoviqin, që kishte qenë ambasador i Jugosllavisë në Gjermaninë Lindore. Një Ilija Babiq, psikolog, profesor i fakultetit në Beograd, informbyroist. Njëfarë Stoja­dinin, shef i UDB-së së Leskovcit. I kisha edhe katër muaj ta kryeja burgun. Erdhi ai UDB-ashi dhe po na thotë, ju jeni të gjithë stalinistë. Për mua po thonë, edhe pak ditë, edhe ky bëhet stalinist, sepse akoma është enverist. Kush po thotë ashtu? – i them unë. Unë po them, tha ai çetniku. Po thotë, Kosmeti nuk është i Serbisë, por e kemi shkoqur dhe tash e kemi koloni. Ne e kemi bërë këtë. Po u thotë ai atyre që ishin të burgosur; ju që jeni çetnikë, mos e prekni Lamën. Po u thotë ai Veli­çkoviqi atyre se krejt kjo çka thotë, është e vërtetë.

Më ka dal afati i qëndrimit aty në burg. Me kanë marrë e më kanë çuar në Lopar, një siujdhesë e vogël lidhur me bregdet. Prej aty me kanë marrë me një barkë për në Rab, e prej aty në Likë. Më kanë thënë; nëse përgojon shtetin, edhe në ditën e fundit mund të dënohesh edhe me dy vjet të tjerë burg. Edhe në stacion të autobusëve po gabove fole, aty ta bëjnë vendimin për dy vjet të tjerë burg. Nxora biletën. Pare kisha.

A keni pas gjëra të blinit aty?

– Ka pasur cigare, oriz, konserva peshku. Pak, disa gjëra. Kur arrita në Lopar, bleva akullore. Erdhi autobusi. Pas mesnate, shkova në një hotel. Në tesha civile. Shëtita edhe pak nëpër Rab. Prej Loparit ke mundur të shkosh edhe me autobus edhe me anije në Rab. Kur kam hyrë në barkë motorike, më kanë thënë, mos fol deri në Zagreb. Ai që më ka shoqëruar në burg, ishte duke më shoqëruar akoma deri në Rijekë. Hyra në tren për Zagreb. Pak pa mbërritur në Zagreb, po e shoh serish afër atë shoqëruesin. Tash, nga afër, më tha; më duhet të pranoj se kemi dëgjuar që nuk je informbyroist. Këtë kam pritur, i thash. Posa të hyni në Zagreb, mund të paraqiteni ku të doni. Aty shkova te Nazif Blaku. Ndenja nja tri-katër ditë. Kështu ishte kjo pjesë e jetës.

Sa vjet burg i mbajte krejt?

– Dy muaj ditë Gjakovë – Beograd, e këtu në Goli Otok dy vjet. More duhej kujdes, se edhe gjatë udhës i kanë kthyer njerëzit e i kanë ridënuar. Në çdo stacion isha i vëzhguar, mos po bëj ndonjë vepër tjetër, çfarëdo, dhe për pak minuta edhe dy vjet të tjerë burg mund të dënonin. Erdha në shtëpi. Kam qenë i fejuar dhe, pasi jam kthyer nga burgu, jam martuar. Mua më ka pritur e fejuara.

(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon.) /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft…