Pezullimi i taksës do të ishte zgjidhje e balancuar

25 shkurt 2020 | 14:34

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka ftuar qeverinë e re që t’i ruajë marrëdhëniet e mira me ShBA-në dhe BE-në.

Ai ka thënë pezullimi i taksës ndaj mallrave serbe do të ishte një zgjidhje e balancuar, e cila do t’i ruante raportet e mira të Republikës së Kosovës me aleatët e saj perëndimorë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka treguar se reciprociteti do të jetë vështirë i zbatueshëm në të gjitha aspektet në raport me Serbinë.

“Qeveria e re duhet ta gjejë zgjidhjen më optimale që t’i ruajë marrëdhëniet e mira me ShBA-në dhe BE-në, por edhe të krijojë mekanizëm të qartë që nuk i lejon epërsi Serbisë në dialog para se ta heqë taksën. Ideja e pezullimit të taksës mund të ishte një zgjidhje e tillë e balancuar. Sa i takon reciprocitetit, e shoh si masë vështirë të aplikueshme në të gjitha aspektet e saj”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë me dije se edhe në raport me dialogun Kosovë – Serbi, Kosova duhet t’i ndjekë sugjerimet e miqve të vet perëndimorë.

“Unë jam i prirë që rolin e z. Grenel ta shoh si rol të ShBA-së. Nëse ky është një fakt i mirëqenë, atëherë Kosova duhet ta shohë më sy optimist si një përshpejtues të procesit të dialogut për arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi që i hap rrugë edhe njohjes nga Serbia. Ne duhet, sikurse në Rambuje dhe në Vjenë, edhe tani duhet t’i ndjekim sugjerimet që vijnë nga Uashingtoni dhe nga Brukseli”, ka vlerësuar ai.

Gashi ka folur edhe për objektivat që qeveria e re duhet t’i ketë në politikën e jashtme. Sipas tij, edhe funksionimi i mirëfilltë dhe i qëndrueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe i shërbimit diplomatik duhet të jetë një prioritet i qeverisë.

“Më qenë më i saktë, duhet të bëhet më efikas komunikimi institucional midis MPJ-së dhe misioneve tona diplomatike. Shpeshherë ky komunikim nuk ka qenë në nivelin që kërkohet të jetë, qoftë edhe referuar konventave të Vjenës për marrëdhënie diplomatike dhe për marrëdhënie konsullore”, ka thënë Gashi.

“Epoka e re”: Z. Gashi, si e vlerësoni pozitën aktuale ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, sepse ka vlerësime se ajo është dëmtuar kohët e fundit?
Gashi: Sigurisht pozita ndërkombëtare e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë nuk ka qenë shumë e volitshme për shkak të mosnjohjes së pavarësisë tash e 12 vjet nga një komunitet relativisht i madh i shteteve. Kur i shton kësaj edhe vështirësitë  dhe sfidat e brendshme në konsolidimin e shtetit kjo e bën edhe më të pafavorshme pozitën ndërkombëtare të Kosovës, sepse një shtet i pazhvilluar ekonomikisht, më shkallë të lartë të papunësisë, me shkallë të ulët të investimeve të huaja, me bilanc tepër negativ tregtar, me nivel të lartë të korrupsionit nuk merret shumë seriozisht për të mos thënë shihet me mosbesim në planin ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Meqenëse tani kemi një qeveri të re, cilat duhet të jenë objektivat kryesore të saj në politikën e jashtme?
Gashi: Sigurisht qeveria e re duhet të ketë objektiva të qarta programore për trajtimin e problemeve që shteti ynë ka përpara në planin ndërkombëtar. Ne ende nuk e kemi parë një program qeverisës që të mund të themi ndonjë vlerësim për të, qoftë edhe për politikën e jashtme. Dialogu më Serbinë, me synim të qartë arritjen e njohjes nga Serbia, lobimi për arritjen e njohjeve të reja, anëtarësimi në organizatat shumëpalëshe, si dhe synimi final anëtarësimi në OKB, do të duhej të ishin objektivat propritare të qeverisë në politikën e jashtme. Por, jo vetëm kaq. Edhe funksionimi i mirëfilltë dhe i qëndrueshëm i MPJ-së dhe i shërbimit diplomatik duhet të jetë një prioritet i qeverisë. Me qenë më i saktë, duhet të behët më efikas komunikimi institucional midis MPJ-së dhe misioneve tona diplomatike. Shpeshherë ky komunikim nuk ka qenë në nivelin që kërkohet të jetë, qoftë edhe referuar Konventave të Vjenës për marrëdhënie diplomatike dhe për marrëdhënie konsullore.

 “Epoka e re”: Vitet e fundit Kosova është përballur me një ofensivë diplomatike të Serbisë për heqjen e njohjeve dhe pengimin e Kosovës për në organizata ndërkombëtare . Si duhet t’i përgjigjet Kosova kësaj?
Gashi: Punë më e madhe me shtetet mike, diplomaci më aktive dhe më efiçente, ruajtje dhe forcim i marrëdhënieve me të gjitha shtetet e tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Diplomaci ekonomike dhe kulturore më intensive dhe, mbi të gjitha, lobim më i konsoliduar dhe më i koordinuar me ShBA-në dhe vendet e fuqishme mike të BE-së.

“Epoka e re”: Qeveria e re po përballet me një presion ndërkombëtar për ta hequr taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që të rifillojë dialogu Kosovë – Serbi, ndërsa qeveria ka paralajmëruar zëvendësimin e saj me reciprocitet. A duhet ta dëgjojë Kosova këshillën e ShBA-së dhe të BE-së?
Gashi: Qeveria e re duhet ta gjejë zgjidhjen më optimale që t’i ruajë marrëdhëniet e mira me ShBA-në dhe BE-në, por edhe të krijojë mekanizëm të qartë që nuk i lejon epërsi Serbisë në dialog, para se ta heqë taksën. Ideja e pezullimit të taksës mund të ishte një zgjidhje e tillë e balancuar. Sa i takon reciprocitetit, e shoh si masë vështirë të aplikueshme në të gjitha aspektet e saj.

 “Epoka e re”: Përfaqësuesi special i presidentit amerikan për dialogun, z. Grenell, ka marrë një rol shumë aktiv në dialogun Kosovë – Serbi. Si e shihni rolin e tij në këtë proces?
Gashi: Unë jam i prirë që rolin e z. Grenel ta shohë si rol të ShBA-së. Nëse ky është një fakt i mirëqenë, atëherë Kosova duhet ta shohë me sy optimist si një përshpejtues të procesit të dialogut për arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi që i hap rrugë edhe njohjes nga Serbia. Ne duhet, sikurse në Rambuje dhe në Vjenë, edhe tani t’i ndjekim sugjerimet që vijnë nga Uashingtoni dhe nga Brukseli.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë mesjavë zhvillohen ndeshjet në fazën e dytë të grupeve…