Presidenti Meta kushtëzon Gent Cakajn

24 janar 2019 | 16:25

Me rastin e 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit, figurën e themeluesit të shtetit modern shqiptar e ka nderuar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Pasi ka vendosur lulet pranë shtatores së Qemalit, Meta ka përmendur Kushtetutën kur është pyetur për rezervat e shfaqura nga mazhoranca ndaj Bahri Shaqirit, këshilltarit të tij për siguri që Meta e ka propozuar për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSh).

“Kushtetuta, interesi kombëtar dhe interesi publik janë të vetmet që më udhëheqin në veprimet e mia dhe në aktet e mia”, ka thënë Meta.

Më tutje, Meta nuk i ka hequr asnjë “presje” reagimit të një dite më parë për kompetencat që kryeministri Edi Rama ia ka deleguar zëvendësministrit Genti Cakaj, për të drejtuar në vend të tij Ministrinë e Jashtme.

“Unë e kam shumë të qartë si president i Republikës, edhe për shkak të vendimit vizionar të Gjykatës Kushtetuese, se kujt institucioni mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Meta.

Një rast konkret kur presidentit i kërkohet të japë plotfuqinë për marrëveshje ndërkombëtare është ai për paktin detar me Greqinë. Ndonëse jo menjëherë, presidenti Meta ia dha autorizimin Ditmir Bushatit vitin e kaluar për sa i përket grupit negociator.

Por, firma e kreut të shtetit nevojitet edhe një herë të dytë para se marrëveshja të kalojë në Parlament, rast në të cilin Meta mund të hezitojë për shkak të rezervave të shprehura publikisht ndaj zëvendësministrit Gent Cakaj, i cili drejton “de facto” diplomacinë shqiptare.

Në këto kushte, nuk përjashtohet që presidenti Meta ta marrë vetë drejtimin e grupit negociator, një e drejtë kjo që ia ka njohur edhe Gjykata Kushtetuese.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi negociator i Kosovës të martën do të zhvillojë takime…