Pse i harrojmë emrat e miqve tanë britanikë?

28 shtator 2022 | 22:52

Shkruan: Daut Dauti

Si është e mundur që në Kosovë dhe Shqipëri të harrohen emrat e disa britanikëve që kane kontribuar për çështjen shqiptare?

Pse në Kosovë nuk ka shesh, rrugë, rrugicë apo insitutucion me emrat siç janë: Aubrey Herbert, Kontesha Carnavon, Gjenerali Phillips, Robin Cook, Noel Malcolm, Reginald Hibbert … ?

Kontributi i Herbertit në themelimin e shtetit shqiptar është aq i madh dhe i padiskutueshëm. Kontesha Carnavon, nëna e Herbertit, ka themeluar fshat në Shqipëri për refugjatët e Kosovës, ka ndërtuar spitale, biblioteka, kinema, fusha të tenisit etj., me paratë e saja. Ajo vendosi bazat e një kulture angleze në Shqipëri, e cila u shkatërrua nga komunizmi.

Gjenerali Phillips, komandant i forcave ndërkombëtare në Shkodër gjatë viteve 1913-1914, ka qenë haptas mik i shqiptarëve. Ai e ngriti flamurin shqiptar në kështjellën e Shkodrës për t’ua bërë me dije malazezëve dhe serbëve se ky qytet ishte shqiptar dhe se ai do ta mbronte me ushtrinë e tij. Phillips mbajti lidhje edhe me udhëheqësit e Kosovës, përfshirë Isa Boletinin, për t’iu ndihmuar refugjatëve në Kosovë. Ky general ishte aq i dashur për shqiptarët dhe kontribuoi aq shumë sa që shqiptarët e propozuan për mbret të Shqipërisë.

Robin Cook lujati një rol të paimagjinueshëm në luftën e Kosovës dhe u doli shqiptarëve në mbrojtje haptas. Cook dhe Blair nuk e ndihmuan vetëm luftën, por edhe procesin e themelimit dhe pavarësimit të shtetit të Kosovës.

Reginald Hibbert, diplomat elitar britanik dhe mik i shqiptarëve,  ka kontribuar pa masë në drejtim të krijimit të bindjes se qeveria britanike duhet të intervenojë ushtarakisht për ta shpëtuar Kosovën.

Të mos flasim për Sir Noel Malcolmin. Kuntributin e tij në shkencë dhe në krijimin e opinionit të ngrohtë për shqiptarët në Britani dhe botë, e dinë edhe fëmija në djep.

Atëherë, pse ne nuk i nderojmë këta njerëz? A mos ndoshta për shkak se jemi të pandershëm dhe i harrojmë të mirat që na i ofrojnë ata në ditët e vështira dhe që na shpëtojnë nga katastrofat. Apo ndoshta i dimë këto të mira, por tashti nuk kemi rrugë e institucione për emra të tyre për shkak se i këmi zënë me disa tjerë që nuk meritojnë aspak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ndër të tjerash, sonte në…