Qeverinë e formojmë pa votat e PDK-së

28 prill 2020 | 08:58

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë që si pjesë e marrëveshjes për qeverinë e re, LDK-ja do t’i marrë 7 ministri. “Formula pak a shumë është ajo që edhe ka dalë në media: 7 ministri LDK-ja, 4 AAK-ja, 2 Nisma Socialdemokrate  dhe të tjerat partitë politike joshumicë në Kosovë. Nuk janë finale emrat, jemi duke diskutuar”, ka thënë Selmanaj në një intervistë në RTK.

Selmanaj ka thënë se votat e AKR-së nuk janë vendimtare, duke mos e përjashtuar një marrëveshje edhe me këtë parti. “Nuk është që votat e AKR-së janë vendimtare. Ne në bazë të bisedimeve që i kemi me partnerët e mundshëm nuk na dalë që është problem numri i votave në Kuvend, por jemi në diskutime edhe me AKR-në sepse vlerësojmë se edhe AKR-ja mund të kontribuojë në këtë koalicion sepse është pjesë e një grupi parlamentar të Nismës dhe unë besoj që është mirë edhe për ta që të jenë pjesë e këtij koalicioni”, tha ai.

Selmanaj tha që nuk e kanë përjashtuar AKR-në duke shtuar se janë në në fazën e diskutimeve edhe me partitë e minoriteteve që nuk janë serbe. Sipas tij, janë më pak se 4 deputetë të LDK-së që nuk e duan qeverinë me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

“Jemi shumë afër që edhe me ta që të arrijmë marrëveshje. Nuk është e vërtetë që janë 4 deputetë të LDK-së  kundër, janë më pak dhe për LDK-në çështja e problemit në numrave nuk trajtohet, mirëpo ideja është që të kemi 67 vota. Janë shumë më pak se 4 kundër, deputetët e LDK-së janë të përgjegjshëm karshi votës dhe subjektit”, tha ai.

Selmanaj shtoi se nuk kanë kontakte me LV-në dhe PDK-në dhe se nuk varen assesi prej tyre.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mandatarin për formimin e Qeverisë.

LDK-ja ka vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidatë për kryeministër të Kosovës në kuadër të kësaj partie. Ditë me parë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur pro koalicionit me  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave.

Kjo iniciativë për formimin e qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti më 25 mars. LDK-ja, e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni, kishte iniciuar mocion mosbesimi për shkak të mospajtimeve për tarifën si ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka…