Sa janë reale shifrat e vdekshmërisë nëpër klinikat e QKUK-së?

25 maj 13:05

Sëmundjet kardiovaskulare, që prekin zemrën dhe enët e gjakut, vazhdojnë të konsiderohen ndër shkaktarët e parë të vdekjeve në botë.

Kjo sëmundje edhe në Kosovë vitin e kaluar ka qenë shkaktarja më e madh e vdekjeve.

Në raportin e Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, që e ka publikuar Ministria e Shëndetësisë, del se në Kardiokirurgji janë kryer rreth 100 operacione gjatë vitit 2018, ku prej tyre kanë vdekur 28 pacientë.

E dyta vjen Neurokirurgjia, e që kjo klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare është e vetmja në Kosovë, e cila ofron shërbime të specializuara për intervenime në tru dhe kurriz.

Përqindja e vdekshmërisë në këtë repart spitalor është 12.66 për qind, ndërsa e treta është Nefrologjia me 10.98 për qind.

Adem Grbolar, kardiokirurg, i tha Radios Evropa e Lirë, se shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë as përafërsisht reale. Sipas tij vdekshmëria në këtë Klinikë është shumë më e vogël.

Ai thotë se rastet urgjente, ku vdekshmëria në gjithë botën është shumë e lartë, në Klinikën Kardiokirurgjike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, arrin në rreth 10 për qind, derisa për rastet jo-urgjente, vdekshmëria është rreth 5 për qind.

“Shifrat nuk janë reale. Ne në Kardiokirurgji kur kemi filluar para një vit e gjysmë me stafin e ri, kemi pasur 100 operacione dhe asnjë vdekje. Prej fillimit deri tash nuk kemi dërguar asnjë pacient jashtë vendit, duke i përkrahur gjithë pacientët dhe duke i trajtuar. Po habitem me këto shifra të publikuara. Te ne po punohet 24 orë dhe po bëhet një punë e madhe, ndonëse nuk e bëjmë publike punën, ta promovojmë ose diçka të tillë. Por, e di se është një sukses i madh prej fillimit të funksionimit 24 orë”.

“Përqindja e vdekshmërisë te rastet me rrezikshmëri të madhe, pra rastet urgjente, vdekshmëria te ne është diku rreth 10 për qind. Ka raste kur në botë shkon edhe deri në 40 për qind”, tha Grbolar.

Në anën tjetër, Fatos Kojqiqi, kardiokirurg, i cili foli në cilësinë e ekspertit të kësaj fushe, tha se nëse këto shifra janë reale, atëherë gjendja është alarmante.

Ai shton se vdekshmëria në vendet e zhvilluara në klinikat kardiokirurgjike është rreth 4 për qind, derisa shton se shifra e publikuar prej 28 për qind të vdekshmërisë brenda Qendrës Klinike Universitare, është jashtëzakonisht e lartë dhe do duhej hetim.

“Mendimi im si profesionist i fushës së kardiokirurgjisë është se, nëse janë të vërteta vlerat që Ministria e Shëndetësisë i ka publikuar për vdekshmëri, ato janë shumë të larta. Pra, të vdesin 28 njerëz prej 100 sa janë operuar, këto nuk janë në asnjë qendër spitalore në vendet e zhvilluara. Këto vlera janë të papranueshme”.

“Në kirurgji të zemrës, vdekshmëria është 4 deri në 5 për qind. Çka është mbi 6 për qind, më pas ato hetohen dhe mblidhen bordet për t’u sqaruar, dhe për të marrë masa, a është në pyetje stafi, mjetet e punës apo çka. Gjermania vitin e kaluar e ka pasur 3.2 për qind, pra në gjithë Gjermaninë. Mirëpo, gjithkund lëviz vdekshmëria kardiokirurgjike rreth 4 për qind”, tha Kojqiqi.

Sidoqoftë nga Ministria e Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, tha se të dhënat do të plotësohen në ditët në vijim, pasi që siç thotë ai, ndonëse janë publikuar, mungojnë statistikat e sakta.

“Këto të dhëna janë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, por edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Ministria e Administratës Publike, i ka nxjerrë këto të dhëna. Ne kemi mbetur që këtë raport ta ndryshojmë me të dhëna, duke marr statistika edhe nga vetë Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Andaj tash për tash nuk mund të them asgjë nëse është vdekshmëria e lartë sidomos në Klinikë e Kardiokirurgjisë ose jo, pasi ka mbetur të mblidhen të dhëna të sakta”, tha Matoshi.

Ndërkaq, sipas raportit që ka publikuar Ministria e Shëndetësisë, Klinika e Urologjisë, Kirurgjia e Fëmijëve, Kirurgjia Maksillofaciale dhe Kirurgjia e Syve kanë pasur zero vdekje për vitin 2018.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 20-vjetorit të rënies në altarin e lirisë…