Sfidat e punëtorëve, në veçanti e punëtorëve në sektorin privat dhe publiko-privat

28 mars 2020 | 18:49

Alush Sejdiu

Në shoqëritë funksionale, demokratike dhe moderne, SOLIDARITETI është një veprim themelor në shoqëri, vlerësim dhe ndihmesë e barabartë për të gjithë, shteti nuk lejon që barra e një krize kaq të madhe kolektive të bartet dhe të zgjidhet nga vetë familjet ose individët.
Solidariteti, për organizimin sindikal është definicion bazik, andaj mu në këto situata zëri i aktivistëve sindikalë duhet të dëgjohet dhe të jetë shumë më i fuqishëm, por për fat të keq zëri i tyre as që po dëgjohet.
Duke qenë se jam aktivist sindikal prej viteve të 90-ta, ndjej obligim që bile në këtë formë të jap kontributin tim, për të shpalosur disa probleme, shqetësime dhe sfida të punëtorëve në këtë situatë krize në shtetin tonë. Gjendja e punëtorëve në sektorin privat veç është rënduar, në muajin prill 2020, sipas informatave që i kemi marrë në terren, një pjesë e punëtorëve në sektorin privat do ta kenë në pikëpyetje marrjen e rrogave.

Në cilësinë e sindikalistit nuk e kundërshtojmë ndarjen e pagave për punëtorët e sektorit publik, por e njëjta gjë duhet të bëhet edhe për pagat për punëtorët në sektorin privat, sepse mbyllja e shumë bizneseve është bërë pa vullnetin e tyre.
Shqetësimi ynë është se punëtorët në sektorin privat janë duke punuar (ndërtimtari, transport, energji, pompa të derivateve, telekomunikacion, tregti, import i mallrave, etj.) të cilëti ekspozohen mundësisë për infektim me virusin COVID-19 , të njëjtit nuk i vlerësohen askush, nuk e dëgjon askush zërin e tyre edhe pse jemi partner me Qeverinë dhe bizneset.
Është e pakuptueshme se si injorohen punëtorët e sektorit privat, madje dëgjohen zëra nga përfaqësues të bizneseve se punëtorët në sektorin privat për shkak të krizës, duhet të paguhen në lartësinë e pagës minimale (130-170 € ) në muaj. Si mundet të mos vlerësohen punëtorët e sektorit privat, si kontribuuesit kryesorë të të hyrave (afarizmit) të kompanive dhe buxhetit të shtetit. Sipas të dhënave zyrtare, në sektorin privat janë të punësuar mbi 300.000 punëtorë, ndërsa në sektorin publik rreth 85.000 punëtorë. Pra, raporti i kontributit të punëtorëve në buxhetin e shtetit është 3:1 në favor të punëtorëve në sektorin privat, ndërsa raporti i pagave (shpërblimit) që marrin punëtorët është 1:3 në favor të punëtorëve në sektorin publik.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar pagesa para kohe për punëtorët e sektorit publik, por askush nuk flet për punëtorët në sektorin privat, përveç në aspektin e kufizimit, dënimit, kërcënimit, etj.
Kur Adam Smith, ka shkruar fundamentalizmin, shënimet e tij në atë kohë kanë qenë revolucionare, transformuese. Në kohën tonë, sektori ynë publik dihet se është klasë e mesme dhe e lartë, shpesh edhe sunduese në Kosovë, pak punë për shoqërinë, paga, mëditje e kredi të majme me mbështetje të padronëve politikë, nevojat e tyre materiale, ekzistenciale i realizojnë me një nënshkrim me refrenin “të na rrojë partia”.

Në këtë krizë të përbashkët, pse duhet që një punëtor, në ministri apo komunë, që nuk i bën 8 orë efektive në ditë të paguhet madje para kohës, ndërsa të gjithë të tjerët ta presin rrezikun dhe falimentimin e vet?
Shumë nga 270.000 punëtorë të regjistruar e mbi 100.000 të paregjistruar në sektorin privat, i shohim duke punuar sot, se nuk mund të presin. Qeveria duhet t’i mbulojë rrogat e sektorit privat dhe atij publiko-privat, siç po bëjnë vendet në Evropë dhe Botë, ose duhet të krijojë urgjentisht pagën e jetesës (Living Wage), për të gjitha familjet, bazuar në numrin e anëtarëve, t’i anulojë afatet e kredive dhe t’i anulojë të gjitha pagat, përveç mjekëve, policëve dhe ushtarëve të përfshirë në luftën kundër virusit derisa të kalojë kriza. Derisa disa shtete serioze i zvogëlojnë pagat dhe përbërjet e qeverive, në Kosovë mu në këtë kohë krize u shtuan edhe një numër i këshilltarëve në listën e pagave të sektorit publik.

Sektori privat duhet ndihmuar, bashkë me të edhe punëtorët në këtë sektor. Nëse Qeveria nuk merr masa për ta ndihmuar ekonominë, atëherë ekonomia do të sëmuret keq dhe do të nevojiten decenie për ta stabilizuar.
Solidariteti i të gjithë neve në këtë kohë na shpëton dhe forcon.
Rekomandime:
1. Punëtorët në sektorin privat, po ballafaqohen me sfida të shumta gjatë procesit të punës, sidomos në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
2. Punëtorë gjatë punës që bëjnë, janë në rendin e parë që i ekspozohen mundësisë së infektimit me virusin COVID-19.
3. Punëtorët po kanë probleme me transportin, nga shtëpia në vendin e punës dhe anasjelltas.
4. Punëtorët kanë probleme se sitë ushqehen gjatë orarit të punës, sitë sigurojnë mjete mbrojtëse (maska, dorëza, etj.)
5. Punëtorët në sektorin privat nuk kanë kohë të futen në karantinë dhe të izolohen, sepse po i shërbejnë shoqërisë dhe shtetit në këto rrethana delikate, andaj duhet të vlerësohen dhe të shpërblehen për punën që po bëjnë.
6. Diferencimi se cilët nga punëtorët dhe nga cili sektor janë më të dobishëm apo më të vlefshëm është i rrezikshëm, i pabazë dhe i pandershëm, asnjëri pa njëri-tjetrin nuk mund të ia dalim.
7. Në grupin e masave që ka marrë Qeveria për tejkalimin e situatës, duhet të hyjnë edhe prolongimi i të gjitha vendimeve për suspendim apo largim të punëtorëve nga puna.
8. Partnerët socialë (Qeveria, punëdhënësit dhe punëmarrësit), duhet të dialogojnë urgjentisht për gjetjen e mundësisë për asistencë sociale deri në 80% të pagës për të gjithë ata persona që nuk punojnë për arsye të mbylljes së aktiviteteve prodhuese, shërbyese apo tregtare.
9. Të solidarizohemi të gjithë punëdhënës-punëmarrës dhe gjithë shoqëria për tejkalimin e situatës dhe kthimin e vendit në normalitet, sepse e kemi obligim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tefta Cami U mbushën 19 vite nga ndërrimi i jetës…