Shqyrtimi kryesor vërtetoi se ishte gjykim i montuar politik (14)

31 janar 2021 | 12:24

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie 

Shkruan: Lulzim Sahiti

Gjatë shqyrtimit kryesor pothuajse të gjithë të akuzuarit shqiptarë e kanë kundërshtuar dhe mohuar atë që kanë theksuar në hetuesi. Në këtë gjykim të montuar politik nuk u vërtetuan veprat për të cilat u ngarkuan të akuzuarit për, kinse, se Aziz Kelmendi u mor vesh më parë me ushtarët që akuzoheshin se i ndihmuan. Qysh në ditën e parë të gjykimit, më 11 janar 1988, i akuzuari Rizah Xhakli, në mbrojtjen e tij kundërshtoi në tërësi thëniet e aktakuzës, duke potencuar se asgjë nuk është e vërtetë, pos asaj që në fushën e basketbollit është takuar me Aziz Kelmendin dhe ushtarë të tjerë. Ndërkaq, Shefqet Paçarizi ka potencuar se nuk ka ditur çka ka planifikuar Aziz Kelmendi, ndërsa Abdylxhemil Alimani ka treguar se nuk ka bërë vepër penale edhe pse ka qenë në fushën e basketbollit nuk ka dëgjuar kurrfarë bisede rreth vrasjes së ushtarëve. Në ditën e dytë të gjykimit, më 12 janar, Afrim Mehmeti ka pranuar se me ushtarët e përmendur në aktakuzë ka qëndruar në fushën e basketbollit në rrethin e kazermës, mirëpo aty nuk ka pasur kurrfarë bisede të Aziz Kelmendit se do të vrasë Safet Dudakoviqin e Milorad Vukoviqin. Mandej Afrimi para trupit gjykues ka deklaruar troç se për përdorimin e pushkës automatike, Azizi nuk ka pasur nevojë të bënë kurrfarë ushtrimi “meqenëse sa kemi qenë bashkë ushtarë me të në një qytet tjetër (Leskovc), ai katër muaj ka qenë i angazhuar me pushkë automatike”. Gjithashtu, Afrimi nuk ka pasur nevojë t’i tregojë Aziz Kelmendit se në dollapin në korridor të pavijonit ka municion, sepse pothuajse të gjithë ushtarët që shërbenin në këtë garnizon këtë e kanë ditur. Në vazhdim të kësaj seance gjyqësore, Pajazit Aliu ka thënë se nuk ka qenë në fushën e basketbollit, gjë të cilën e ka pohuar edhe Afrim Mehmeti. Në kohën kur Azizi ka zbrazur rafalët, ai ka qenë fjetur bashkë me ushtarë të tjerë, tregon Pajazit Aliu. Nga dhuna e terrori i madh i ushtruar gjatë hetuesisë ndaj të akuzuarit Rizo Alibashiq për të deklaruar rrejshëm kundër të akuzuarve shqiptarë, ai kishte rënë në depresion psikik dhe për një kohë ka qëndruar për shërim në Klinikën Neuropsikiatrike të Spitalit Ushtarak të Nishit, u tha në ditën e tretë të gjykimit, më 13 janar 1988. Kjo më së miri tregon se në çfarë gjendje kanë qenë të akuzuarit tjerë gjatë kohës sa ishin në hetuesi. Megjithatë dhjetari Alibashiq para trupit gjykues e tha të vërtetën për municionin që ia kishte dhënë Azizit: “Para orës 3 të mëngjesit më zgjoi Azizi, i cili kishte pushkën me municion. Ia dhashë dy rrathë me nga 30 plumba. Për pushkën automatike nuk kisha më tepër municion. Ai më urdhëroi të shkoj me të në dhomën e fjetjes. Unë ecja përpara e ai pas meje, duke ma drejtuar pushkën në shpinë. U ktheva në pistë dhe atëherë dëgjova rafalët, kur edhe i dhashë rojës alarm”, tregon rrjedhën e ngjarjes së asaj nate Alibashiq. Mirëpo deklarata e tij, ku inkuadronte posaçërisht Rizah Xhaklin ishte krejtësisht e pavërtetë, të cilën gjë sy më sy ia tha troç Xhakli, më 13 janar 1988 në sallën e Gjykimit. Ai ia përsëriti për të satën herë se më 2 shtator 1987 nuk ka ndejur me Alibashiqin. Po në këtë seancë, ushtari Abdylxhemil Limani gjatë gjykimit ka treguar se organet e sigurimit kanë shfrytëzuar forcën gjatë kohës së hetuesisë për të detyruar atë në ndryshimin e deklaratës, gjë të cilën nuk e bëri asnjëherë. Ai nuk ka lëkundur qëndrimin e tij gjatë hetuesisë por as në shqyrtimin kryesor në Gjykatë. Kjo dëshmon se Alimani gjithnjë e tha vetëm të vërtetën duke treguar se nuk i ka premtuar kurrfarë ndihme Aziz Kelmendit, nuk ka sjellë pushkën në fushën e basketbollit dhe as që i ka dhënë karikatorin me fishekë. Me vet faktin që Azizi kishte në dispozicion 70 fishekë, prej të cilëve është dëshmuar se 26 janë shkrepur në dy dhoma dhe me një plumb është vetëvrarë, shtrohet pyetja çka i duhej municioni shtesë kur në realitet i ka pasur rezervë edhe 43 fishekë tjerë!?

Foto: Faksimile nga aktakuza e zgjeruar prej 167-faqesh në gjuhën serbokroate

Trillimi tjetër i prokurorit se “para se të zbrazë rafalët, Azizi tërhoqi nga dhomat të gjithë ushtarët e kombësisë shqiptare”, gjatë shqyrtimit kryesor është dëshmuar se nuk është e vërtet kjo akuzë ngase në dhomën nr. 41 ishin bashkërisht me Rizah Xhaklin dhe Islam Mahmutit edhe ushtarët e nacionaliteteve tjera: Petar Gjekiq, Nikola Vidoviq, Huso Kovaçoviq, Andrej Preshern, Mishko Zeliq, Goran Vidakoviq, Milorad Vukoviq, Stipe Miliq etj, kurse në dhomën nr. 42, krahas ushtarëve shqiptarë: Pajazit Aliut e Shefqet Paqarizit ishin në të njëjtën dhomë edhe ushtarët e komuniteteve tjera: Ante Jazhiq, Petar Popiq, Davor Staniq, Florijan Atanaso e të tjerë. Ndërkaq, dy ushtarë të kësaj dhome: Abdylxhemil Alimani dhe Shemsudin Selimoviq, në natën kritike ishin në roje prej orës 2:00 – 4:00, kurse në këtë kohë te porta e kazermës ishte ushtari Goran Kegel. Ndërkaq, në natën kritike,në përbërje të rojës ishin të vendosur në çadrën e rojës:Enver Behluli, rekrutë i dhomës 42, bashkë me ushtarët tjerë: Sebastijan Bexhedoviq, Shuçko Omeragiq, Ivica Shkoriq e Vladimir Milutinoviq, të cilët në atë kohë ishin duke fjetur. Në dhomën e tretë, numër 40, ku flinte edhe Aziz Kelmendi ishte vetëm një ushtar shqiptar, Afrim Mehmeti, pranë të cilit flinte Zoran Gjokiqdhe ushtarët tjerë: Zvonko Zatkovski, Branko Vujoviq, Zhelko Rokiq, Damir Mariq e të tjerë. Me një fjalë, kjo është krejtësisht absurde dhe pamundshme që Azizi të zgjonte nga gjumi ushtarët shqiptarë në dy dhomat e fjetjes dhe të mos i diktojë ata askush duke dalë nga dhomat!

Në aktakuzën e fabrikuar gjithashtu përmendet se Sadik Kelmendi është dashur të vijë natën kritike nga Gjermania në Paraqin për të marrë Azizin dhe të ikë. Gjatë dëshmisë së tij, më 15 janar 1988, Sadiku, babai i Azizit tregoi: “Më 24 korrik të vitit 1987 jam kthyer nga vendlindja në Gjermani, ku isha në pushim mjekësor. Brenda kësaj periudhe (24 korrik – 1 shtator 1987) kam folur me telefon vetëm me anëtarët e familjes”. Ndërkaq, me Azizin: “Kurrë nuk kam biseduar me telefon sa ka qenë ushtarë, e brenda kësaj periudhe as letër nuk i kemi shkruar njëri-tjetrit”, tha Sadik Kelmendi para trupit gjykues. Kjo tregon më së miri se vizita e Sadikut dhe Salës atë mëngjes në Paraqin ishte e rëndomtë si herëve të tjera dhe pa kurrfarë prapavije gjë që prokurori ushtarak nuk pati asnjë fakt për të akuzuar babanë e Azizit. Me një fjalë, të akuzuarit shqiptarë të vërtetën e thanë gjatë gjykimit, të cilës duhej t’i besohej e jo asaj çka kanë deklaruar gjatë hetuesisë ngase kanë qenë të shtrënguar nga gjykatësi hetues dhe nga pjesëtarët e sigurimit shtetëror. U vërtetua se të gjitha deklaratat e tyre gjatë hetuesisë janë dhënë nën presion e dhunë. Kjo ishte e dhënë plotësisht e saktë. Një gjë është e vërtet se Azizi gjatë kryerjes së aksionit ka kursyer të gjithë bashkëkombësit e vet, madje në dhomën e tij nuk kishte shtënë fare. Po ashtu e vërtet ishte se Azizi shoqërohej vetëm me shqiptar, gjë që të njëjtën gjë e bënin edhe ushtarët tjerë shqiptarë kudo që ishin në shërbim ushtarak. Domethënë, nuk kishte diçka risi në këtë aspekt. Nuk është e vërtet që Azizi urrente popujt tjerë përpos atyre që përdornin aparatin shtetëror kundër popullit shqiptar.

Trupi gjykues, më 20 janar 1988, si dëshmi ka prezantuar fletoren e Aziz Kelmendit të gjetur më 5 shtator 1987, me rastin e kontrollimit të shtëpisë së prindërve të tij në Dushanovë. Në këtë fletore, Azizi kishte shënuar disa vargje, të cilat një pjesë e tyre ishin në formë të kujtimeve. Pothuajse në çdo vjershë të tij janë shkruar me germa të mëdha fjalët “Kosova Republikë”. Ndër të tjera, në vargjet e tij thuhet:

“Në Prishtinë së pari u dha betimi dhe nga të gjitha anët në Kosovë si lumi u përhap “Kosova – Republikë”

“Më lindi ideja!

“Kjo është rruga e luftës”.

“Rroftë Kosova – Republikë”

Më 25 janar 1988, në fjalën e tij përfundimtare prej 20 faqesh prokurori ushtarak, Zhivotije Bojiq për Azizin theksonte: “Ishte verbërisht përkrahës i idesë “Kosova – Republikë” dhe për atë se për realizimin e kësaj ideje duhet të zhvillohet luftë e armatosur”. Me këtë, Prokurori në fjalë, nuk ka zbuluar asgjë të re sepse në realitet është dëshmuar ajo siç ka menduar atëbotë Azizi.

Më 6 dhe 24 nëntor të vitit 1987 nga gjykatësi hetues ishte rikonstrukuar ngjarja e ndodhur ndërmjet 2 dhe 3 shtatorit të vitit 1987, në kazermën “Branko Krsmanoviq” në Paraqin. Para kamerave i kanë detyruar të akuzuarit e Procesit të Paraqinit t’i japin dëshmitë e tyre filmike dhe tonike se si gjoja kanë bërë marrëveshje te fusha e basketbollit dhe duke instruktuar rrejshëm rolin e tyre në ngjarjen e zhvilluar brenda kazermës, ku u vranë katër ushtarë e u plagosën pesë të tjerë. Më 20 janar 1988, këto pamje filmike dhe tonike u prezantuan nga prokurori si dëshmi në gjykatë, mirëpo këtë rikonstruktim të montuar e hodhën poshtë të akuzuarit: Rizah Xhakli, Abdylxhemil Alimani, Afrim Mehmeti e Pajazit Aliu.

Në Gjykatën Ushtarake të Nishit, gjatë shqyrtimit kryesor, kryetari i trupit gjykues, koloneli Velko Miliq, duke parë aftësitë dhe zotësinë profesionale të avokatit Bajram Kelmendi, i kishte dhënë atij dy vërejtje me shkrim. Kjo bëhej me qëllim për ta frikësuar avokatin Kelmendi i cili gjatë zhvillimit të këtij procesi të montuar politik kishte arritur të çmontuar aktakuzën e konstruktuar nga KOS-i jugosllav. Ndërkaq, vajza e avokatit në fjalë, Kosovarja, në librin “Mbrojtësi” të gazetares Valbona Mehmeti kishte treguar: “Për sa kohë ka zgjatur ai gjykim, unë çdo natë e kam pritur babanë te dritarja, afër pianos. Na ishte mbjell frika në familje se për shkak të mbrojtjes që ai e bënte, mund edhe të pësonte, pasi vazhdimisht ishte në përcjellje. Një herë, derisa kishte qenë në sallë të gjykimit, në gjykatoren e Nishit ia kishin shpuar të katër gomat e veturës…”, rikujton Kosovarja, atëbotë 16 vjeçe. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos ende nuk e ka…