Si dhe pse e arrestoi policia djalin e Tony Blair-it?

05 korrik 2022 | 14:00

Daut Dauti

Me 6 qershor të vitit 2000 Euan Blair, djali i kryeministrit të Britanisë së Madhe, së bashku me një shok të tij, kanë dalur në qytet për ta festuar përfundimin e vitit shkollor. Që të dy djemtë kanë qenë të moshës 16 vjeçare. Në Britani shërbimi me alkool në lokale është i ndaluar për ata nën moshën 18 vjeçare, por këta dy djem janë shërbyer në disa pabe me birra. Pas katër birrave (Stella Artois), Euan është pshtjelluar disi në pab dhe e ka humbur kontaktin me shokun e tij. Shoku i tij ka menduar se Euan është nisur për në shtëpi.

Por, Euan ka qenë aq i dehur sa që nuk e ka dijtë rrugën për në shtëpi dhe duke mos pasur as fuqi e ka zënë gjumi në një park të vogël, para kinemasë së njohur ‘Odeon’. Nga dehja e plotë Euan është dukur si i vdekur dhe kalimtarët e kanë thirr ndihmën e shpejtë, personeli i së cilës ka ardhur dhe ka konstatuar se nuk është në rrezik. Por, ka ardhur policia dhe e ka arrestuar të dehurin pasi që shtrirja, fjetja, vjellja dhe të dehurit në vende publike është e ndaluar. Koha ka qenë mesnatë.

Kur Euan ka ardhur në vete, policia e kanë intervistuar. Djaloshi ka dhënë emër, mbiemër dhe adresë të rrejshme me qëllim që t’i ikë turpit. Pasi që policia e vërteton se nuk ekziston njeri me këtë identitet, e detyrojnë që ta tregoj të vërtetën. Euan, më në fund, ka folur duke treguar se është djali i Tony Blair-it, kryeministrit. Në atë rast të gjithë policët kanë qeshur me zë për shkak se nuk i kanë besuar. Madje, njëri nga policët i ka thënë: ‘ti je djali i Tony Blair-it, aq sa jam unë djali i nënës Terezë’.

Sidoqoftë, identiteti i tij është vërtetuar dhe lajmi e mori dhenë. Ligji thotë se të dehurit duhet të mbahen në stacion të policisë deri të këndellën dhe ashtu ndodhi edhe me Euan Blair-in. Të nesërmen djaloshi është liruar, por me kusht që pas disa ditëve të paraqitet në stacion të policisë me prindin. Tony Blair u detyrua të bënte këtë veprim dhe policia nuk e dënoi për shkak se nuk kishte shkaktuar dëme, por e liroi djaloshin me kusht që të mos e përsëriste më këtë veprim. Kjo gjë ka ndodhur disa ditë pas një fjalimi të Tony Blair-it ku ai kërkonte shqiptim të dënimeve në vend për të dehurit që hasen në vende publike. Para stacionit të policisë dhe me të birin e tij përdore, kryeministri Tony Blair u tha gazetareve: ‘Te jesh prind, është më vështirë se kryeministër’.

Në vitin 1997 një 17 vjeçar i quajtur William Straw, në një kurth të përgatitur nga gazetarët, është zënë duke shitur drogë. Edhe pse sasi e drogës ka qenë e vlerës 10 funta, problemi ka qenë i madh për shkak se William ka qenë djali i Jack Straw, ministrit të brendshëm të qeverisë britanike. Megjithatë, policia nuk e mori parasysh se djali i kujt është dhe nuk ia fali gabimin, por emri i William-it për shtypin mbeti i panjohur për disa vite.

Euan dhe William kanë qenë të rinj dhe kanë gabuar e kjo gjë kuptohet. Që të dy këta të rinj janë shkolluar në shkollat elitare dhe sot janë të suksesshëm. Madje, Euan, siç raporton shtypi, sot është miliarder edhe pse relativisht i ri në moshë.

Tashti pyetjen që do ta bënim në rastin tonë është: A do t’i arrestonte policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë djemtë e kryeministrave dhe ministrave të brendshëm kur ata e shkelin ligjin?  Dhe, nëse policia do të guxonte ta bënte këtë gjë, si do të vepronin funksionarët tanë?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë…