Sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore

19 maj 2019 | 08:49

Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se votimi po zhvillohet në rregull.

Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në ditën e votimit do të hapen 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime.

Janë 12 kandidatë në garë për kryetar në këto komuna, nga tre kandidat për secilën komunë. Në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet, të drejtë vote kanë 57 mijë e 938 votues.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.

Më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hollanda fitoi festivalin Eurovision 2019, ndërsa Shqipëria u rendit në…