Tifozi i Kombëtares që nuk shkon askund pa fotografinë e Agim Ramadanit

01 qershor 2018 | 12:10

Besi Dermaku është djaloshi i ri nga Kosova që sa herë i jep veturës, pas i shkon hija e heroi Agim Ramadani.

Ai ka kohë që nget me krenari të madhe veturën e tipit Golf të veshur me ngjyrat kuq e zi e me një dizajn unikat.

Ajo që veçon këtë veturë dhe zgjon reagimin e mërgimtarëve që jetojnë në Zvicër, është figura e heroit Agim Ramadani që ka zënë vend në dritarën mbrapa me poezinë e famshme të Agimit.

Kështu ai është dukur edhe të martën në lojën e zhvilluar mes Kosovës dhe Shqipërisë në Cyrih, ku në mesin e dhjetëra veturave të veshur me flamuj kuq e zi, Golfi i Besit kishte marrë vëmendjen e shumë tifozëve shqiptarë.

Besi Dermaku është një djalë nga Gjilani, i cili ka emigruar para tetë vjetësh në Zvicër. Këtu ai ka ndjerë edhe më shumë mallin për vendin e tij, Kosovën dhe duke u angazhuar në aktivitete kulturore e sportive, është lidhur edhe më tepër me kombëtaren e futbollit, të cilën e ndjek thuajse kudo që ajo luan, transmeton “Albinfo”.

Mirëpo, atij nuk i ka mjaftuar kjo, ai thotë të ketë qenë gjithnjë i frymëzuar nga vepra heroike në shërbim të atdheut të Agim Ramadanit, prandaj ka vendosur të bëjë diçka unikate në nderim të veprës së tij.

“Për dy vite kam menduar si mundë ta nderoj këtë trim, dhe në vitin 2016 vendosa të blej një veturë me ngjyrë të kuqe dhe ta veshi me flamurin tonë kombëtar. Pastaj vendosa komandantin Agim Ramadanin në xhamin mbrapa, që ta kem kudo që jam fotografinë dhe poezinë e tij të shkruar: Mu shterrshin sytë, nëse pushoj lirinë tënde më ëndrrue, mallkue qoftë gjaku im nëse më vrasin pa luftue”.

Besi beson më shumë në gjërat që na bashkojnë. Ai ëndërron një kombëtare të fort të përbashkët me lojtarë shqiptarë nga të gjitha trojet, por e kupton që kjo tani nuk është e mundur.

“Dëshira ime e madhe ishte që ne të kemi një kombëtare shqiptare të fort e lojtarë nga të gjitha trojet, ku jetojnë shqiptarët, por fati ynë është se tani marrim pjesë me dy ekipe, kombëtaren shqiptare dhe përfaqësuesen e Kosovës, por kjo nuk na ndanë sepse kemi shumë gjëra të tjera që na bashkojnë”, shprehet për “albinfo.ch” Besi Dermaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),…