Veseli: 28 Nëntori përmban gjithë kuptimin e historisë sonë kombëtare

28 nëntor 19:42

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se 28 nëntori është datë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, ngase ajo, siç tha ai, përmban në vete gjithë kuptimin e historisë sonë kombëtare dhe identitetin e një populli, i cili ndër shekuj asnjëherë nuk hoqi dorë nga ëndrra për liri dhe fund ia doli ta bëjë atë realitet. 

Në fjalën e tij gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për nder të 106-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryeparlamentari Veseli tha se në shumë raste historia ka ditur të jetë e ashpër me shqiptarët. 

“Ne ditëm dhe mundëm të mbijetojmë stuhitë e saj. Ditëm të ruajmë emrin tonë, identitetin tonë dhe vizionin e duhur për të ardhmen. Si asnjëherë më parë gjatë historisë, sot shqiptarët janë të sigurtë dhe të orientuar drejt si komb. Sot shqiptarët janë zotër të fatit të tyre. Dhe fati ynë ka një emër të vetëm: integrim në familjen e madhe të demokracive perëndimore”, tha kryetari Veseli. 

Ai shtoi se integrimi euro-atlantik i shqiptarëve nuk është vetëm interes gjeopolitik, por më shumë se kaq: është orientim i natyrshëm i një populli, i cili në gjeografi dhe në identitet ka qenë dhe do të mbetet popull evropian. 

Kreu i Kuvendit tha se shqiptarët besojnë në vlerat perëndimore të lirive njerëzore, demokracisë dhe ekonomisë së tregut. 

“Ne duam që këto vlera t’i kemi të përbashkëta edhe me fqinjët tanë, të cilët i respektojmë dhe duam të respektohemi njësoj prej tyre. Ne besojmë dhe punojmë për ta bërë fqinjësinë e mirë identitet të rajonit tonë. Gëzuar 28 nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan po synon rikthimin e Zlatan Ibrahimoviqit në “San…