Viti 1941: Shqipëria i shpall luftë BRSS-së, fillon periudha e njohur si “Tri ditë Shipni”

26 dhjetor 2021 | 09:18

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1941?

Bota është në luftë. Gjermania dominon, por këtë vit e bën gabimin më të madh: invadimin në Bashkimin Sovjetik, që më vonë do ta ndërrojë rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore duke e çuar botën nga një luftë në një tjetër të egër – Luftën e Ftohtë. Më 28 qershor 1941, edhe Shqipëria i shpall luftë Bashkimit Sovjetit.

Fritz Klingenberg

Më 1941 kapitullon Greqia dhe Jugosllavia. Rënia e kryeqytetit serb është aq e turpshme sa që oficeri gjerman që e merr në kontroll, përmendet në pothuaj çdo libër të strategjisë ushtarake. Në fillim të prillit 1941, aviacioni gjerman bombardon kryeqytetin serb. Qëllimi gjerman ishte që shpejtë të kapitullojë Jugosllavia, për t’u pushtuar Greqia që i rezistonte ushtrisë italiane. Por, Beogradi duhej pushtuar përmes toke, e serbët i kishin shkatërruar urat. Pa i pritur përforcimet, kapiteni Fritz Klingenberg, me gjashtë ushtarë, me një varkë e në mot të keq e kalon Danubin. Rrugës arreston shumë ushtarë jugosllavë (flitet deri më 1 300), ua merr armët dhe makineritë ushtarake. Me ta marshon nëpër bulevardin “Mreti Aleksandër” dhe i drejtohet Ambasadës gjermane. Aty shkon kryetari i Beogradit për të nënshkruar dorëzimin e qytetit, më 12 prill 1941. Meqë kishte vepruar krye në vete, Klingenbergun për pak sa nuk e çojnë në gjyq ushtarak. Arsyetimi i tij ishte: “Çka me ba, donin të dorëzoheshin. A me ua kthye unë qytetin, a”? Jugosllavia kapitullon më 18 prill, ndërsa Greqia tri ditë më vonë, më 21 prill.

Përballë hotel “Skanderbeg” në Prishtinë, prefekti i Prishtinës, Hysen Prishtina, veshur me kostim të zi dhe borsalinë të zezë në dorë, para fillimit të manifestimit për shënimin e Ditës së Flamurit më 28  nëntor 1941

Me kapitullimin e Jugosllavisë dhe Greqisë, nis epoka që në Kosovë do të njihet si Tri ditë Shipni. Kosova me shumë vise tjera shqiptare, përfshirë Çamërinë, iu bashkëngjitën Shqipërisë. Në Kosovë gjermanët dhe italianët u pritën si çlirimtarë, sepse shqiptari këtu kishte problem mbijetesën e jo raportin e forcave mes Boshtit dhe Aleancës. Kosova veç ishte tokë e pushtuar, e shkelur dhe e nëpërkëmbur. Kështu, largimi i keqbërësve (pushtetit serb), që ndërpret edhe programet e dëbimit dhe kolonizimit, thjeshtë e nënkuptonte lirinë. E, kjo liri solli shumë të mira, ndër të tjera hapjen e shkollave laike, administratën e re dhe xhandarmërinë shqiptare. Prandaj, me vite të tëra Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët këndej thoshin: “Pasha ato tri ditë të Shipnisë”!

Mustafa Kruja në Kosovë

Kryeministër i Shqipërisë deri më 4 dhjetor ishte Shefqet Vërlaci, e pastaj Mustafa Kruja (nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë). Ky i fundit, në fjalimin e mbajtur në Pejë, më 29 qershor 1942, ka thënë:

“Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj. Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa kosovarë tjerë. Po! Nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë … E sod qi Kosova âsht bâ shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma ‘juzhna Srbija’ as ‘Metohija’, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të shtetit t’onë me italín fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem”.

Shefqet Verlaci

Ndërkaq, Shefqet Vërlaci, në nëntor 1941 i drejtohet ministrit të Punëve Botore, prishtinasit Iljaz Agushi, duke i kërkuar që ai dhe komisioni i ngarkuar nën drejtimin e të tij të mblidhnin dokumentacione dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të vërtetuar shqiptarizmin e gjithë zonave të Kosovës, të cilat i ishin bashkangjitur territorit shqiptar në verën e 1941, duke u vënë nën administrimin e qeverisë së Tiranës:

“Kthimi i Kosovës në gjinin e Nanës Shqipni ka paraqit nevojën me i tregue botës mbarë se si këto toka, të lirueme mbas gadi 30 vjetësh robnije sllave, janë krejt shqiptare si nga pikpamja historike ashtu edhe etnike. Për me ia mbërrijt këtij qëllimi kemi formue nji Komisjon nën kryesinë e Shkëlqesës s’Uej, simbas dekretit të bashkangjitun, i cili Komisjon do të merret me mbledhjen e të gjitha dokumentave q’i përkasin Kosovës, si edhe të çdo elementi tjetër qi mund të sherbejë për të vërtetuar shqiptarizmin e krahinës në fjalë. Nji punë e tillë besojmë do të shërbente edhe me përforcue ma tepër ato ndjeje lidhjeje e dashunije qi çdo shqiptar duhet të ndijë për Kosovën”.

Nxënës të Shkolla Fillore “Skenderbej” në Tetovë, e hapur më 1 shtator 1941

Emisar special për çlirimin e territorit shqiptar të Kosovës, më 1941, ishte Qazim Mulleti. Administrator i Kosovës ishte Koço Tasi. Ai ka administruar me ndershmëri taksat dhe ka emëruar edhe kryetarët e bashkive në Kosovë dhe në tokat tjera të çliruara, sipas standardeve më të mira, duke vënë në poste njerëz të aftë e të ndershëm, assesi jo injorantët e matrapazët! Ministër i Arsimit në Shqipëri ishte Ernest Koliqi. Koliqi e Tasi në Kosovë sjellin 350 mësues për të hapur shkolla e përhapur dije. Në Pejë më 21 nëntor 1941 u hap gjimnazi dhe Shkolla Femërore e Punës, në Prishtinë u ngrit Shkolla Normale “Sami Frashëri” dhe nisën punën shkollat e Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës etj. Në vitin 1942 u hap i pari kurs pedagogjik në Prishtinë. Fal tri ditëve Shipni, mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Kosovën me 278 shkolla fillore dhe 11 shkolla të mesme.

Foto e 20 tetorit 1941, e bërë në Podujevë, ku shihet një oficer gjerman me Kosta Peçancin dhe Xhafer Devën (tre të parët, nga e majta)

Gjatë kësaj kohe, megjithatë, disa pjesë të zonës kufitare në veri të Kosovës, përfshirë Sanxhakun, si dhe disa pjesë kufitare me Malin e Zi, bien nën juridiksionin gjerman, pra nuk ishin pjesë e Shqipërisë. Në Serbi vepronin forcat çetnike të Drazha Mihaloviqit, që zyrtarisht nuk e pranonte pushtimin gjerman, ama që ashiqare bashkëpunonte me ta. Këto forca vazhdimisht sulmonin vendbanimet shqiptare. Luftimet kundër forcave çetnike në Shalë e në Bajgorë ishin udhëhequr nga Ahmet Selaci e Mehmet Gradica. Luftimet e tilla të shumtën e herëve nuk i shqetësonin forcat gjermane, pos kur prekeshin interesat e tyre. Ndaj, më 20 tetor 1941 organizohet një takim mes sipërmarrësit, patriotit dhe intelektualit – ndër të tjera të shkolluar edhe në Vjenë – Xhafer Deva, e çetnikut Kosta Peçanci. Ky i fundit, bazuar në përvojat e para të tij me shqiptarë e duke mos e njohur Devën, mendon se me lojë fjalësh mund ta bindte t’i nënshtrohet kërkesave të tij. Por, reagimi i Devës e tmerroi. Përkthimi i fjalëve të Peçancit për atë takim (marrë nga një letër dërguar çetnikëve), është kështu:

“Me çetnikët e mi isha në shtab, në Kurshumli, kur më thirrën nga Nishi që me arnautët të flas për kufirin. Shkuam dhe aty e takuam. I fola arnautqe, gjuhën që e njihja mirë, me shpresën se me shumë lëvdata edhe atë do ta përvetësojmë, siç kemi mundur t’i përfitojmë të gjithë udhëheqësit arnautë. ‘Me Azem (Bejtën) e kam parë dhe takuar në Mitrovicë babanë tënd urtak, i cili si arnaut besnik që ishte e respektonte ushtrinë tonë, por edhe pushtetin serb. Ndaj, të lus si Zotin (përdor fjalën ‘Kumim te Bogom’, sepse kumbara te serbët cilësohet si diçka e shenjt, ndërmjetës mes familjes dhe të parëve; është shprehje që përdoret kur kërkon nga dikush të bëhet mik e mbrojtës, i nderuar gati sa Perëndia për kërkuesin, gjë që nuk do të duhej të refuzohej, sidomos nga shqiptarët e besës – v.j.), se nëse veç pak i ngjan atij, shmangu nga Borçani dhe Bajgora që me shekuj janë tonat’. Me një buzëqeshje poshtë syzeve të tij, të cilën unë e vëreja, qetë m’u përgjigj: ‘Për trimërinë tuaj kam dëgjuar shumë nga babai im. Mos u shqetësoni, se nesër ua dërgoj në Borqan dy njerëz të mi të qetë e të kuptueshëm, me të cilët mund të flasësh – Ahmetin (Selacin) dhe Mehmetin (Gradicën)’. Pas disa ditësh e kuptova se ky arnaut i vogël në të ardhmen ka me q… gjithçka serbe deri në Nish – nga ku vijnë të parët e tij”.

Deva ishte muhaxher nga Nishi, një intelektual i rrallë. Mënyra e tij e qetë e komunikimit, me kulturë dhe diplomaci, dhe përgjigja që jep për njerëzit me të cilët “lehtë merret vesh” – gjë të cilën e kërkonte Peçanci, por që në fakt ishin emrat e trimave që bënin me dije për luftën pa asnjë kompromis të shqiptarëve për tokat e tyre – paraqiste momentin më zhgënjyes të njeriut që më parë mund bënte çka të donte me shqiptarët. Sepse, kohët po ndryshonin, jo më veç në të mirë të Serbisë.

Peja më 1941

Por, shqiptarët prapë lehtë manipuloheshin. Kështu, më 1941 ka ndodhur një nga ngjarjet më tragjikomike të historisë sonë, për të cilën nuk është folur kurrë (së paku jo e vërteta). Në fshatin Tullarë në kufi të Kosovës, inskenohet një plan dashakeq. Përmes serbit Radovan Shakiq u thuhet trupave të pozicionuara gjermane se në fshatin Prapashticë (të premten, në xhami) do të mblidhen shqiptarët dhe komunistët për të bërë plane për një sulm kundër tyre. Në ndërkohë, shqiptarëve të Prapashticës u dërgohet mesazhi se serbët (errfija) do të shkojnë për t’i sulmuar. Gjermanët nisen e shqiptarët bëhen gati në kodrën Lisicë. Krisin luftimet nga të cilat vriten afro 20 ushtarë gjermanë, përfshirë një oficer me gradë majori. Shqiptarët e shkretë që nuk i njihnin uniformat ushtarake gjermane, mendonin se i shpëtuan banorët, derisa njëri nuk thotë: “Kuku, mos janë more këto (e)poletat e Hetës (Hitlerit)”? Pastaj ndodhi një hakmarrje e ashpër gjermane, me likuidime të shumta në Prapashticë e në Keqekollë. Shumë banorë nga Nisheci e Braina u zunë robër lufte e u dërguan në Gjermani. Këtë histori, si nxënës, e kishte hulumtuar gazetari i shquar i ditores “Rilindja”, Tahir Neziri. Ai madje donte që këtë hulumtim ta bënte temë diplome të shkollës së mesme. Por, edhe pse i ri, hoqi dorë meqë në atë histori nuk kishte asgjë me çka do të mburrej shqiptari. Më vonë, nga të dhënat e tij frymëzohet një historian i joni (kontrovers), për ta plasuar si “zbulim” që thotë se pushka e parë komuniste antifashiste në ish-Jugosllavi krisi në Prapashticë të Kosovës, e jo nga Zhikica Jovanoviq Shpanaci në Bella Cërkvë të Serbisë (më 7 korrik 1941). Mirëpo, pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, as ky libër nuk u botua.

Pamje nga betimi i presidentit Franklin D. Roosevelt

Më 1941 vdesin tre emra të mëdhenj të letërsisë botërore: James Joyce, Virginia Woolf dhe Rabindranath Tagore. Këtë viti lindin ikonat e muzikës rok, Joan Baez, Neil Diamond, Bob Dylan, Otis Redding, Paul Simon, Art Garfunkel; aktorët Faye Dunaway, Nick Nolte, Ann-Margret, Ryan O’Neal, Beau Bridges; tenori Placido Domingo; nënpresidenti amerikan Dick Cheney (në kohën e administratës së George W. Bushit); regjisori Bernardo Bertolucci;  balerini Abdurrahman Nokshiqi, veprimtari Enver Hadri (që vritet më 1990, në Bruksel, nga qarqet serbe), botuesi dhe shkrimtari Nazmi Rrahmani, si dhe kompozitori Ferdinant Deda. Më 1941 lindi edhe Kasapi i Ballkanit, shkaktari i luftërave të përgjakshme të viteve 1990 në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje dhe Hercegovinë e në Kosovë, Sllobodan Millosheviq.

Më 13 janar 1941 jepet premiera e filmit “Citizen Kane” (Qytetari Kejn), që konsiderohet si më i miri në historinë e kinematografisë botërore. Më 20 janar 1941, Franklin D. Roosevelt jep betimin si president i ShBA-ve. Ky ishte mandati i tretë i tij. Në nëntor 1941, me ndihmën e jugosllavëve, formohet Partia Komuniste e Shqipërisë. /Telegrafi/

Pamje nga filmi “Qytetari Kejn”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poezia është jetë dhe jeta ka nevojë për poezi ……