Vrasja e shtatzënës në oborrin e QKUK-së, PDK-ja thërret Kurtin në interpelancë

01 dhjetor 2022 | 14:57

Partia Demokratike Kosovës (PDK) ka bërë kërkesë për interpelancë parlamentare me kryeministrin Kurti, pas vrasjes se 35-vjeçares nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra, ka vlerësuar se institucionet po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar siguri juridike për qytetarët, sidomos për gratë dhe vajzat.

“Këto duhet të jenë rastet e fundit dhe ky duhet të jetë alarmi i fundit për shtetin dhe për shoqërinë tonë. Si Grupi më i madh Parlamentar opozitar ne nuk kemi mundur që të qëndrojmë duarkryq dhe të jemi indiferent karshi përballjes me një gjendje të viktimave pothuajse të përjavshme. Prandaj Partia Demokratike Kosovës në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë me kryeministrin për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet dhe veprimet e tyre po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për gratë dhe vajzat e këtij vendi”,  ka thënë ajo.

Deliu-Kodra ka theksuar se krimet e fundit ndaj grave duhet të jenë alarmi i fundit për shtetin dhe institucionet.

“Vrasjet dhe krimet e tjera si sulmet seksuale, dhunimet e ngacmimet janë jo vetëm fenomene në rritje, por edhe ngjarje të jashtëzakonshme e tronditëse, të cilat duhet të përbëjnë alarm serioz për shoqërinë, institucionet dhe mbarë vendin”, është shprehur ajo.

Ndërsa deputeti Rashit Qalaj, ka shprehur shqetësim për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë.

“Shprehim shqetësimin tonë të skajshëm për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë, në këtë rast të Policisë së Kosovës me rastin e fundit, ku viktima është dashur të mbrohet nga institucionet e Kosovës, me qenë se ka pasur një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore kompetente”, ka thënë Qalaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Hisen…