Përparim Rama: Ta mbrojmë demokracinë me votë, përgjegjësi dhe besim në shtetin tonë

07 qershor 2026 | 12:07

Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, duke theksuar se demokracia është një vlerë e fituar me sakrificë dhe se duhet të mbrohet nga çdo tendencë që cenon institucionet dhe liritë demokratike.

Në mesazhin e tij, Rama ka kujtuar vizionin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke theksuar se zgjedhjet janë festë e demokracisë dhe momenti kur qytetarët bëhen zëri dhe forca e shtetit.

“Demokracia nuk është një privilegj që mund të merret si e mirëqenë. Ajo është një vlerë e fituar me mund dhe sakrificë, prandaj nuk guxon të vihet në provë nga askush. Shteti është i shenjtë dhe si i tillë duhet të trajtohet me përgjegjësi, respekt dhe përkushtim”, ka deklaruar Rama.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Demokracia nuk është një privilegj që mund të merret si e mirëqenë. Ajo është një vlerë e fituar me mund dhe sakrificë, prandaj nuk guxon të vihet në provë nga askush.

Siç na ka mësuar Presidenti historik Ibrahim Rugova, zgjedhjet janë festë e demokracisë, momenti kur qytetari bëhet zëri dhe forca e shtetit. Shteti është i shenjtë dhe si i tillë duhet të trajtohet, me përgjegjësi, respekt dhe përkushtim.

Le të votojmë për demokraci, për zhvillim, për unitet dhe për një vend ku secili qytetar, pavarësisht bindjeve politike, punon për të mirën e përbashkët dhe për të ardhmen e brezave që vijnë.

Duhet të qëndrojmë larg autokracisë, larg kapjes së institucioneve dhe larg çdo tendence për pushtet absolut. Historia na mëson se aty ku pushteti përqendrohet pa kontroll, dobësohet demokracia, zbehet liria dhe nëpërkëmben sakrificat e gjeneratave që ndërtuan këtë shtet. 🇽🇰

Kosova ka nevojë për institucione të forta, për dialog, për respekt të ligjit dhe për kulturë demokratike. Vetëm kështu nderojmë të kaluarën tonë dhe ndërtojmë një të ardhme të denjë për çdo qytetar.

Demokracia është trashëgimia jonë më e çmuar dhe përgjegjësia jonë më e madhe. Ta mbrojmë me votë, me përgjegjësi dhe me besim në shtetin tonë.

I prifshim të mbarës ✌️

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje…