Genti Sejdiu, arkitekti i reformës së transportit publik në Prishtinë
Genti Sejdiu është konsulent i lartë dhe menaxher projektesh në mobilitet urban, energji eficiente dhe zhvillim të infrastrukturës komunale në Kryeqytet. Që nga viti 2022, ai udhëheq reformën e transportit publik në Prishtinë si Project Manager në Komunën e Prishtinës, duke menaxhuar projektet e financuara nga EBRD, BE, GIZ dhe UNDP. Reforma e transportit publik që ai drejton është shndërruar në një projekt model, duke sjellë një qasje të re në dizajnimin e linjave të autobusëve dhe duke ofruar transport publik për lagje që historikisht nuk kanë pasur qasje në shërbim. Ky model tashmë po replikohet nga qytete të tjera në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2022, Sejdiu ka udhëhequr negociimin e marrëveshjes së kredisë me EBRD për blerjen e 30 autobusëve të rinj për operatorin publik Trafiku Urban – një hap kyç në modernizimin e flotës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit. Në vitin 2023, ai ishte ideator i biletës ditore integruese, një prej aktiviteteve të para të reformës së transportit publik në Prishtinë, duke vendosur themelet e integrimit tarifor dhe qasjes së unifikuar të shërbimit. Ai është anëtar i grupit punues ndërkombëtar të ekspertëve për standardizimin e formatit të SUMP sipas direktivave të Bashkimit Evropian për qytetet e Ballkanit Perëndimor, duke kontribuar në harmonizimin e metodologjive të planifikimit të mobilitetit me standardet evropiane.
Sejdiu ka udhëhequr një sërë projektesh urbane në Prishtinë që sot shihen si modele për replikim kombëtar dhe rajonal: projektin anti parking në trotuare; ndërhyrjen model në Rrugën “Garibaldi”, ku janë krijuar hapësira të dedikuara për persona me aftësi të kufizuar dhe prindër me fëmijë të vegjël (në bashkëpunim me Hendikos); transformimin e hapësirës pranë shkollës “Elena Gjika”, duke krijuar një zonë të lirë dhe të sigurt për nxënësit; si dhe projektin inovativ të shtegut edukativ të biçikletave në Taukbahçe, ku Sejdiu ishte ideator dhe menaxhues i projektit. Ai ka implementuar në Prishtinë edhe projektin “Germia Park Solar Parking”, me instalimin e paneleve solare 36.4 kW që reduktojnë 44.7 ton CO₂ në vit – një prej ndërhyrjeve të para të energjisë së pastër në mobilitetin urban në Kosovë. Sejdiu ka përfunduar trajnime të avancuara profesionale në Japoni (JICA) për menaxhimin dhe organizimin e transportit publik urban, duke u trajnuar në një prej sistemeve më efikase dhe inovative të mobilitetit në botë. Ai ka ndjekur gjithashtu programin URBAN95 në London School of Economics, duke thelluar ekspertizën në planifikimin urban të orientuar drejt fëmijëve dhe mobilitetit aktiv. Përvoja e tij profesionale shtrihet në mbi dy dekada dhe përfshin më shumë se 10 vite punë në Londër në menaxhment, zhvillim organizativ dhe lidership strategjik. Në sektorin bankar, Sejdiu ka mbajtur pozita kyçe në Raiffeisen Bank dhe Raiffeisen Leasing (2008–2015), duke udhëhequr segmentet e hipotekave, premium banking dhe leasing të pasurive të paluajtshme. Ai ka menaxhuar ekipe, ka zhvilluar strategji të performancës, ka ndërtuar produkte financiare dhe ka forcuar marrëdhëniet me klientët premium dhe institucionet financiare.
Kjo përvojë e thellë në financa, negociim dhe menaxhim të performancës ka ndikuar drejtpërdrejt në aftësitë e tij aktuale për menaxhimin e projekteve të mëdha të mobilitetit dhe energjisë. Në sektorin privat, Sejdiu ka udhëhequr KRG–Kosova Realty Group (2015–2022), duke e shndërruar në një prej kompanive kryesore të vlerësimit të pasurive dhe analizës së tregut të patundshmërisë në Kosovë. Kontributi i tij në sektorin publik fillon që në vitin 2008 me projektin e parë të kadastrimit të etazhitetit në Fushë Kosovë dhe në nivel vendi, si dhe me angazhimin në reformën e kadastrit në Komunën e Prishtinës gjatë qeverisjes së Isa Mustafës. Gjatë mandatit të Shpend Ahmetit, Sejdiu ishte ideator dhe bashkëhartues i programit të banimit të përballueshëm për Prishtinën – një model i cili është planifikuar të implementohet edhe në nivel të gjithë Kosovës, duke vendosur standarde të reja në politikat e strehimit urban. Me një profil që ndërthur financat, urbanizmin, energjinë e pastër dhe menaxhimin e projekteve, Genti Sejdiu mbetet një prej profesionistëve që kanë kontribuar në mënyrë të qëndrueshme në transformimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin modern të kryeqytetit dhe qyteteve të Kosovës. /Epoka e re/.




