IKD-ja: Përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale

23 korrik 2026 | 11:10

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se, përmes nismës legjislative për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal, IKD-ja propozon që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale.

Përmes kësaj nisme, IKD-ja synon të përcaktohet përgjegjësia penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të sanksionohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Në nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për këtë nismë legjislative, Jakaj tha se në dy palët e fundit të zgjedhjeve janë marrë vendime për ndarjen e mjeteve publike vetëm pak ditë para votimit.

Sipas tij, paraja publike duhet të përdoret për interesin e përgjithshëm dhe jo për interesa partiake apo elektorale.

“Këto veprime, me të drejtë, ngrenë dyshime dhe debat publik nëse buxheti i shtetit po përdoret për politika sociale apo për përfitim elektoral. Demokracia nuk duhet të lërë hapësirë për dyshime të tilla. Paraja publike është e qytetarëve dhe ajo duhet të përdoret për interes publik, jo për interesa partiake apo elektorale”, theksoi Jakaj.

Për këtë arsye, hulumtuesi i IKD-së tha se institucioni propozon që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale. /Betimi për Drejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha (Shtetet nuk gjykohen vetëm nga madhësia e…