Qeveria ta marrë seriozisht studimin e fizibilitetit për Ujmanin

26 qershor 2021 | 07:50

Ish-ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta marrë seriozisht studimin e fizibilitetit për Ujmanin, të cilin Ambasada Amerikane ia ka dorëzuar para dy ditësh.

Ai ka thënë se qeveria duhet ta analizojë mirë studimin e fizibilitetit dhe nëse ka diçka që nuk është në interes të Kosovës, ta kërkojë korrigjimin e studimit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Nitaj ka thënë se në qeverinë e kaluar shumë dikastere qeveritare kanë qenë të përfshira në këtë proces.

“Më e pakta që duhet bërë, është që qeveria fillimisht ta respektojë marrëveshjen e Uashingtonit. Ta analizojë studimin e fizibilitetit dhe, nëse ka diçka që nuk përputhet me pozicionin e Kosovës për këtë temë, të kërkojë korrigjimin e saj”, ka thënë Nitaj.

Ai ka treguar se institucionet e Kosovës kanë dërguar mijëra faqe material për fizibilitetin e liqenit të Ujmanit.

“Po thonë që nuk e paskan lexuar dhe kjo është e çuditshme. Studimi i fizibilitetit për Ujmanin nuk është një çështje që mund të lihet për t’u lexuar kur do të kesh kohë. Është një material tepër serioz dhe i rëndësishëm për vendin. Pala e Kosovës ka dërguar mijëra faqe material për fizibilitetin e Ujmanit. Unë edhe si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit kam qenë i përfshirë në këtë proces. E di se të gjitha segmentet që kanë qenë të familjarizuara me këtë temë, kanë punuar shumë seriozisht”, ka thënë Nitaj.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka kritikuar qeverinë për qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se propozimet e kryeministrit Albin Kurti në takimin e parë me presidentin serb në Bruksel kanë qenë joserioze.

“Qasja e kësaj qeverie ndaj dialogut ka qenë krejtësisht në shpërputhje me seriozitetin e materies. Qëndrimi se dialogu nuk është prioritet, se dialogu është një proces i ri, mosinsistimi që në këtë proces të përfshihen ShBA-ja, kërkesa qesharake për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA, ose ‘zbulimi epokal’ se Kosova qenka për asociacion gjeografik, për vlerësimin tim, kanë qenë joserioze”, është shprehur ai.

Nitaj ka shprehur skepticizëm se në këtë proces do të mund të ketë një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithçka është e mundur, por është pak e besueshme se mund të ketë marrëveshje të shpejtë. Dialogu kurrë nuk ka qenë eksluzivitet i një qeverie. Ajo është temë më e madhe dhe e ka të domosdoshme një platformë nacionale e të harmonizuar me gjithë spektrin”, ka thënë Nitaj.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, qeveria Kurti është në prag të 100-ditëshit të parë të punës. Cili është vlerësimi juaj për këtë kohë të qeverisjes?
Nitaj: Nuk kam vlerësim pozitiv për punën e deritashme të kësaj qeverie. Unë e kuptoj se situata ka qenë e rënduar edhe për shkak të pandemisë, por kjo nuk nënkupton që me veprime ose mosveprime këtë situatë ta rëndosh edhe më shumë. Për shembull, qasja e kësaj qeverie ndaj dialogut ka qenë krejtësisht në shpërputhje me seriozitetin e materies. Qëndrimi se dialogu nuk është prioritet, se dialogu është një proces i ri, mosinsistimi që në këtë proces të përfshihen ShBA, kërkesa qesharake për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA, ose ‘zbulimi epokal’ se Kosova qenka për asociacion gjeografik, për vlerësimin tim kanë qenë joserioze.
Ka qenë pothuajse një dështim edhe gjendja me vaksinimin e popullsisë. Kosova në këtë kohë ka funksionuar me të falur. Nuk ka mbërritur ta blejë as edhe një vaksinë të vetme dhe është e fundit për nga numri i të vaksinuarave. Duhet ti kesh kaluar 65 vjet jetë për ta fituar të drejtën për vaksinë. Ka edhe plot veprime të tjera që për mua janë problematike. Për shembull, punësimi i familjarëve në administratë dhe ndërmarrje publike; shkarkimi bordeve të ndërmarrjeve publike dhe emërimi i militantëve partiakë në po të njëjtat borde; shkarkimi i Valdete Dakës nga KQZ; qëndrimi për mbylljen e AKP (Agjencia Kosovare e Privatizimit) dhe krijimi i një fondi, pa i analizuar pasojat financiare për buxhetin e shtetit; vendimi qe pagesa e kartonit të gjelbër për mërgimtarë të bëhet nga taksat e qytetarëve; tërheqja e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të tjerë diplomatikë pa paralajmërim dhe pa asnjë analizë; shfuqizimi i marrëveshjeve me komuna dhe heqja e mjeteve të parapara me buxhet; zvogëlimi i shumës së subvencioneve për bujq dhe subvencioneve direkte për vreshtarë.

“Epoka e re”: Në bazë të asaj që është parë deri më tani, besoni se kjo qeveri do të mund t’u përmbahet premtimeve që ka bërë?
Nitaj: Po nuk e di a do të mund ti përmbush, por shenjat e para janë të këqija. Dorëzimi i parë i qeverisë Kurti përballë premtimeve elektorale, është heqja dorë nga rivendosja e reciprocitetit. Ose nepotizmi që i është ulur këmbëkryq kësaj qeverie. Ka edhe plot premtime të tjera që janë larg nga përmbushja.

“Epoka e re”: Më në fund ka ndodhur edhe takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi. A ka ndryshuar diçka në këtë proces me qeverinë e re?
Nitaj: Po, ka ndryshuar diçka. Në katër kërkesat që i ka paraqitur kryeministri Kurti në takimin e parë, asnjëra prej tyre nuk e përmend njohjen e ndërsjellë. Një është për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA, e një për njëfarë marrëveshje paqeje midis Kosovës dhe Serbisë për të mos e sulmuar njëra-tjetrën.

“Epoka e re”: Në bazë të rrethanave aktuale, prisni që në procesin e dialogut me Serbinë të këtë ndonjë marrëveshje të shpejtë?
Nitaj: Gjithçka është e mundur, por është pak e besueshme se mund të ketë marrëveshje të shpejtë. Dialogu kurrë nuk ka qenë eksluzivitet i një qeverie. Ajo është temë më e madhe dhe e ka të domosdoshme një platformë nacionale e të harmonizuar me gjithë spektrin.

“Epoka e re”: Shtetet e Bashkuara ia kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, ndërsa qeveria ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim për këtë dokument. Si duhet të sillet qeveria në raport me marrëveshjen e Uashingtonit?
Nitaj: Po thonë se nuk e paskan lexuar dhe kjo është e çuditshme. Studimi i fizibilitetit për Ujmanin nuk është një çështje që mund të lihet për t’u lexuar kur do të kesh kohë. Është një material tepër serioz dhe i rëndësishëm për vendin. Pala e Kosovës ka dërguar mijëra faqe material për fizibilitetin e Ujmanit. Unë edhe si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit kam qenë i përfshirë në këtë proces. E di se të gjitha segmentet që kanë qenë të familjarizuara me këtë temë, kanë punuar shumë seriozisht. Tekefundit, Kosova e ka nënshkruar një marrëveshje në Uashington dhe pjesë e saj ka qenë edhe studimi i fizibilitetit për Ujmanin. Më e pakta që duhet bërë është që qeveria fillimisht ta respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit, ta analizojë studimin e fizibilitetit dhe, nëse ka diçka që nuk përputhet me pozicionin e Kosovës për këtë temë, ta kërkojë korrigjimin e saj.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për parashikimin e motit…