Ideale të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut ishin liria, republika dhe bashkimi

04 nëntor 2019 | 11:41

Sabri Kiçmari

I dashur Baca Osman dhe Nëna Qamile,
Te dashur vëllezër dhe motra të Afrimit dhe Fahriut,
Shoqe dhe shokë, bashkëveprimtare, bashkëveprimtarë dhe miq të heronjve të kombit,
Të dashur pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,
Më lejoni që sot, në 30 vjetorin e rënies së heronjve dhe shokëve tanë të dashur t’i shmangem klishesë së fjalimeve tona përkujtimore. Nuk e di nëse kjo është një thyerje e protokollit të pashkruar, apo një sjellje tejshoqërore, por dua që të kthej në vëmendjen tuaj te një moment reflektimi për jetën dhe lirinë, shtetin dhe shoqërinë, Republikën dhe Shqipërinë.
Cili ka qenë mendimi i fundit politik e filozofik i Afrim Zhitisë para se të pushonte zemra e tij e madhe?
Cili ka qenë veprimi dhe reflektimi i fundit i Fahri Fazliut para se të shtrihej i goditur nga plumbat trupi i tij i pashëm?
Si një nga shokët e shumtë të tyre, një hamendësim i tillë më përcjellë prej 30 vitesh. Do të dëshiroja shumë të dija shumë më shumë për momentet e tyre të fundit: mendimet e tyre të fundit, reflektimet e tyre, veprimet e tyre të fundit.
Por, në të njëjtën kohë, e ndjej veten me fat, se e di cili ka qenë përfytyrimi i tyre për Lirinë, Republikën, Shoqërinë, Kosovën dhe Shqipërinë. I di shumë nga të fshehtat e panjohura publikisht, dashuritë dhe urrejtjet e tyre, miqësitë dhe armiqësitë, mallin, dhembjen dhe krenarinë e tyre. Nuk e fsheh: bashkëjetoj shpesh me këto kujtime.

Të nderuar miq,

2 nëntori i vitit 1989 është një shembull tipik përfaqësues, se si një popull e krijon historinë, duke sakrifikuar jetën dy të rinj idealistë, dhe me këtë fillon të ndërtojë të ardhmen. Siguria, me të cilën Afrimi dhe Fahriu shkuan drejt vdekjes, është e rrallë, është heroizëm i veçantë.
Si mund të shpjegohet kjo gatishmëri për shkuarje drejt vdekjes në rrafshin filozofik-politik? Si mund të shpjegohet guximi i Afrimit dhe Fahriut për të sfiduar vdekjen? Si mund të shpjegohet vetëdija e tyre për të pranuar, në një moshë të tillë të re, natyrshmërinë e vdekjes për liri?
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, do të mundohem që sot, me rastin e 30-vjetorit të rënies së tyre, të reflektojnë akord me botëkuptimet tona të para 30 viteve.
Afrimi në rrafshin teorik ka mbrojtur pikëpamjen se qëllimi i politikës është liria. Ajo në kohën tonë manifestohej në formën e kërkesës “Kosova Republikë!” si hap i parë, kurse bashkimi kombëtar ishte rrjedhim logjik, ose qëllimi strategjik. Duke e njohur sentencën se “historia botërore është një përparim në vetëdijen e lirisë – një përparim që duhet ta njohim në domosdoshmërinë e tij”, Afrimi ishe i vetëdijshëm se lufta për liri është e domosdoshme, sepse vetëm kur një komb është i lirë, ai mund të njohë dhe realizojë të vërtetën dhe jo thjesht të përmbush vullnetin e kombit tjetër. Ashtu siç është graviteti thelbi i materies, ashtu është edhe liria thelbi i frymës së kombit. Dhe, për të arritur lirinë, njeriu duhet të ngritët, të organizohet dhe të punoj kundër pushtimit, shtypjes dhe skllavërisë.
Fahriu ishte dora vepruese e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Ai ishte aksionisti, planifikuesi dhe realizuesi i planeve operative të sektorit të veçantë, i demonstrative dhe grevave. I vetëdijshëm se “njeriu lind i lirë, por gjendet gjithkah i rrethuar nga prangat”, Fahriu do të insistonte që qytetarët e Kosovës përmes veprimit konkret për idenë e lirisë të shndërroheshin në subjekt për vete. Duke u shndërruar nga subjekt në vete në subjekt për vete, ai e sfidon determinizmin fatalist të nomenklaturës së kohës, duke i dhënë kuptim lirisë si “liri e vullnetit, e lidhur menjë sferë të veçantë që e kishte parasysh njeriun e “përgjithshëm” veprues historik”.

Të nderuar miq,

Kur e takova Afrimin për herë të parë në një banesë modeste studentësh, që ishte baza jonë e veprimtarisë në Breg të Diellit, në fjalitë e tij të para, njoha mendjen e thellë analitike politike dhe mendimin e ndritur shqiptar. E njoha njeriun e bashkimit. Atë ditë ne u bashkuam me një grup tjetër. Afrimi dhe unë ishim caktuar të përfaqësonim Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në takim. Mendimi i tij racional, fjala e tij e peshuar dhe strategjia e tij afruese, i dhanë vulën idesë së bashkimit.
Në vitin 1988 pas arrestimeve dhe largimeve të shpeshta të shokëve të niveleve drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës,së bashku me Fadil Vatën dhe Beqir Beqën e konstituam Komitetin Organizativ të Lëvizjes, si organ drejtues në nivel vendi, detyrë kjo e ngarkuar nga rrethet e ndryshme organizative. Kur më 27 shtator 1988 UDB na goditi keq, duke arrestuar rreth 44 shoqe dhe shokë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (atëherë LPRK), shoku ynë i nderuar, që për fat sot është në mesin tonë, Beqir Beqa u detyrua të largohej jashtë vendit. Vendin e tij në Sekretariatin e Komitetit Organizativ të Lëvizjes e zuri natyrshëm Afrim Zhitia. Ai mori përsipër organizimin e shtypit të fshehtë. Për tre muaj, u realizua ky synim yni: U botua fillimisht “Minatori” në ditët e Grevës së Urisë së Minatorëve, dhe më pas edhe “Rruga e lirisë”. Në dy mbledhjet konsultative, të mbajtura në shkurt të vitit 1989, në familjen e Sahit Krasniqit në Obiliq, fjala e Afrim Zhitisë do të ishte e peshuar, orientuese dhe strategjike. Në tubimet solidarizuese me minatorët të studentëve, në demonstratën e 27 marsit dhe atë të 1 nëntorit 1989 Afrimi do të shkëlqente me fjalimet e tij, mendimet e tij dhe orientimet e tij prej drejtuesi. Në Konferencën e Lëvizjes në Divjakë më 22 prill 1989, Afrimi do të zbulonte para nesh gjithë potencialin e tij të dijes, maturimit politik dhe aftësisë strategjike. Më duhet ta them sot me mall dhe modesti njëkohësisht: U gëzova shumë që në përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit Organizativ te heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha jashtë vendit.
Dorëzimi i lidhjeve, informatave dhe planeve organizative te Afrimi është një nga momentet më të paharruara për mua. Fahriu operonte në një dimension tjetër veprues: siguronte burimet e armatimit, teknikën dhe veprimet operative. Ai ishte në ballë të demonstratës si njeri operativ, që jep orientimet, vendos për sulmet dhe tërheqjet. Ishte i dashur dhe i papërtueshëm. Kishte pushtuar zemrat e shokëve, që e njihnin, me dashurinë dhe vendosmërinë e tij. Kur e takova për herë të fundit, ishte plot humor. Ishte nata ime e fundit në Kosovë, në banesën e tij, para se të largohesha. Në tavolinë mbante librin e Qemal Stafës. Një libër i fotokopjuar. Ndoshta kishte një lloj parandjenje: Fahriu ynë, bashkë me Afrimin, do të përsëritnin heroizmin e Qemal Stafës.

Të dashur miq,

Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu me punën dhe rënien e tyre kanë krijuar një atmosferë përbashkësie morali për një ideal. Ideal i tyre ishte Liria, Republika dhe Bashkimi. Ata e njëjtësuan veten me kombin. Në këtë kontekst Afrimi dhe Fahriu kanë vdekur të lirë. Në vetëdijen dhe ndërgjegjen e tyre ata kanë qenë njerëz të lirë. Duke e sfiduar vdekjen me vetëdije të plotë, ata e kanë përcaktuar statusin e tyre vetërealizues në lirinë e kombit. Përmes kësaj sakrifice sublime, ata e përcaktuan edhe fatin e kombit të tyre. E motivuar prej tyre shoqëria shqiptare në Kosovë e realizon nivelin më të lartë të organizimit të bashkësisë së saj – organizimin e luftës çlirimtare, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, bashkë me Fadil Vatën, Ali Ajetin dhe një gjeneratë të tërë veprimtar është viteve 1988-1989 simbolizojnë mendjet sakrifikuese ndër shqiptarë, të cilët në pushtetin e Republikës së ardhme të Kosovës e shihnin jo një forcë shtypëse, por themelin e lirisë dhe dinjitetit të qytetarit shqiptar. Ata ishin krejtësisht të çiltërt në bindjet dhe përfytyrimet e tyre. Ata i dhanë përmbajtje lirie frymës politike, në formën e shtetit kombëtar. Ata ëndërronin një shtet tëri, i cili do të ishte më shumë se një kuadër ligjor të drejtash dhe obligimesh. Ata ëndërronin një botë krejtësisht të barabartë, të lirë dhe të drejtë. Ata e donin shumë Shqipërinë dhe bashkimin kombëtar. Bota e tyre dhe shteti i tyre kishin natyrë ideale. Shenjtërimi i idesë së lirisë së kombit te ta ishte një lloj strehe për të shpëtuar shqiptarët nga vuajtjet, padrejtësitë dhe terrori i regjimit serb.

Të nderuar miq,
Për fund më lejoni të them diçka tepër personale. E kam ndjerë mungesën e tyre rregullisht, por veçanërisht në dy momente të rëndësishme të historisë sonë të re: – kam pasur shumë dëshirë që Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu të ishin në mesin tonë më 12 qershor 1999 – të përjetonin shporrjen e pushtuesve nga trojet tona dhe fitoren e UÇK. E di se do të dinin t’i gëzoheshin pa masë; – Dhe kam pasur ndjenja të përziera gëzimi e dhimbjeje njëkohësisht më 17 Shkurt 2008. Atë ditë më kanë munguar Ali Ajeti dhe Fadil Vata. Më kanë munguar Xhemajl Fetahaj dhe Fehmi Lladrovci me buzëqeshjen e tij të pakufishme dhe, zonja dhe zotrinjë, atë ditë më kanë munguar shumë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Sa do të dëshiroja që Afrimi dhe Fahriu të ishin në mesin tonë dhe të përjetonin atë moment gëzimi për të gjithë ne. Por, unë them se ata janë emocionalisht në mesin tonë. Ata gjenden në frymën tonë lirisë. Ata janë pjesë e pandashme jo vetën e të kaluarës, por edhe e së tashmes, dhe në mënyrë të veçantë e së ardhmes sonë!
Lavdi ju qoftë!

(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në kuadër të projektit “Nxitja…