Limaj paralajmëron reciprocitet të plotë me Serbinë në çdo drejtim ekonomik (Video)

22 nëntor 2018 | 16:00

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj u ka bërë thirrje bizneseve të Kosovës, që të mos e shfrytëzojnë këtë moment për të spekuluar për përfitime individuale, duke e dëmtuar çështjen nacionale dhe qytetarët.

Në lidhje me vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Seria dhe Bosnja, Limaj ka thënë se këtë vendim janë detyruar ta marrin për shkak të sjelljes së vazhdueshme agresive dhe mohuese të Serbisë ndaj Kosovës.

Ai po ashtu ka pohuar se Serbia në vazhdimësi u ka bërë pengesa mallrave të shtetit të Kosovës, ka përdorur fyerje dhe nënçmim ndaj tregtarëve të Kosovës dhe në një situatë të tillë ka qenë e pamundur të mos përgjigjet Kosova.

“Në vazhdimësi kemi kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtarë, ku do që na u ka dhënë rasti, që t’i tërhiqet vëmendja dhe vërejtja Serbisë, që ajo duhet ta ndalë atë logjikë dhe politikë në drejtim të Kosovës”.

“Fatkeqësisht, kjo nuk ka sjellë rezultate dhe ne kemi qenë të detyruar të ndërmarrim masa për të mbrojtur interesin e vendit tonë, dhe për të treguar që Kosova më nuk mund të tolerojë një sjellje të tillë. Mendoj se një sjellje të tillë nuk do të lejonte asnjë shtet normal, mënyrën se si Serbia është sjellë me Kosovën”, ka thënë Limaj.

Limaj ka paralajmëruar reciprocitet të plotë në të gjitha drejtimet, për të cilën punë janë duke punuar ministritë dhe agjencitë përkatëse, duke veçuar reciprocitetin ndaj targave të makinave, pasi Serbia vazhdimisht maltreton qytetarët e Kosovës, duke i detyruar që t’i ndërrojnë targat e makinave të Kosovës, në momentin që hyjnë në territorin e Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me…