Në “dasmën” e Skënder Rusit në Korçë

01 nëntor 2021 | 07:45
Berat Armagedoni

Familjarë, kolegë, miq dhe shokë të Skënderit,

mirë se keni ardhur në promovimin e kësaj vepre.
Ju falemnderit edhe për pritjen që na keni bërë në kryeqytetin e kulturës shqiptare, në këtë bibliotekë publike e cila është shumë më e vogël sesa biblioteka në të cilën punoj.
Para se t’ju flas për botimin e kësaj vepre, për bashkëpunimin me autorin dhe me familjen e tij, dua t’i kërkoj falje autorit të kësaj vepre, edhe familjes së tij, Erisit dhe gruas së Skënderit, që ua vonova botimin e kësaj vepre deri një javë më parë e dorëzimin deri sot. Planet e botimit dhe të promovimit i kishim të tjera dhe i kishim të përbashkëta. Por, jo ashtu siç planifikojmë edhe na shkojnë punët mbarë. Punë goxha shumë na prishi edhe pandemia, së cilës duket se po i vjen fundi.
Qysh para gjashtë muajsh kisha përgatitur botimin e kësaj vepre për shtyp. Prisja vetëm një vendim të Ministrisë së Kulturës për ta dorëzuar veprën në shtyp. Ai vendim u publikua vonë, një muaj më parë, pasi njëmbëdhjetë anëtarë të Këshillit të Librit të kësaj ministrie ia propozuan për subvencionim të botimit ministrit të Kulturës. Pres të më thoni tash, botuesi, kur di që vepra ka vlera të shumta, s’duhet të presë përkrahje nga askush. Unë nuk përtoja të shpenzoja para për veprën Ti më ke dashur pakëz sepse Skënderin dhe veprën e tij i duam shumë në Kosovë. S’kam ardhur këtu t’ju them, as t’ju arsyetohem, se kam vetëfinancuar dhjetëra libra, se kam dhuruar për biblioteka mijëra të tjera. Unë vetëm doja që meritat dhe vlerat poetike Skënder Rusit t’ia njihte edhe institucioni kryesor i kulturës në Kosovë, ministria dhe këshilltarët e ministrit, të cilët janë specialistë të fushës së letërsisë pastaj, pas botimit, t’ua shpërndanin bibliotekave publike. Dhe, sa kam marrë vesh nga burimet e mia brenda ministrisë, asnjëri prej njëmbëdhjetë anëtarëve të këshillit të librit nuk ka qenë kundër përkrahjes për botimin e kësaj vepre. Njëzëri të gjithë kanë thënë po, por nuk e di nëse të gjithë prej tyre kanë lexuar ndonjërën prej shumë veprave të Skënderit. Këtë po, se e kanë detyrim. Me disa prej tyre kam diskutuar më gjatë për poezinë e Skënderit dhe i kanë çuar të fala dhe i kanë uruar shëndet. Do t’ia përcjell të falat e tyre në kafene.
Gjithashtu, dua t’ju bëj me dije se që nga dorëzimi i dorëshkrimit të veprës së Skënderit në shtëpinë time botuese nga Erisi e deri dy javë më parë, Erisi është interesuar dy herë për botimin e kësaj vepre, një herë tjetër Skënderi dhe gruaja e tij. Më ka treguar ndërkohë Erisi, se kur i ati i tij ka marrë lajmin për dorëzimin e veprës në shtyp, e ka pritur po sikur ta dorëzonte librin e parë. Është e natyrshme kjo. Kam intervistuar dhjetëra shkrimtarë, autorë të librave dhe të veprave, e secili prej tyre më kanë thënë se kanë pasur këtë emocion sa herë që u është botuar një libër i ri. E kanë provuar edhe dy shokët e mi këtë ndjesi, Ademi dhe Bedriu, të cilët janë studiues të letërsisë dhe poetë dhe s’kanë përtuar të vijnë të flasin mirë për këtë vepër, kurse unë edhe t’ju gërgas pak.
Skënderit i urova mirëseardhje në Kosovë, por a e kishim Skënderin atje?
Nuk di që një botues tjetër nga Kosova i ka botuar ndonjë vepër. Poezi, po, disa revista fizike dhe disa media elektronike. Vepra të tij, të botuesve nga Shqipëria, kemi pak. Por, kemi shumë më shumë vepra dhe libra të autorëve të Shqipërisë sesa që keni ju të Kosovës. Nuk e di a ka në Shqipëri rrjet të sistemit bibliotekar në të cilin mund të verifikoni saktë titujt e veprave të autorëve në bibliotekat publike. Uebfaqen e Bibliotekës së Shqipërisë e vizitoj çdo ditë. Më duhet për punë, për katalogim të librave. Në Kosovë disa biblioteka komunale, edhe Kombëtarja, e ka një program për katalogim të librave. Dje, edhe pse kam marrë pushim vjetor, dola me shkas në punë për të bërë një kërkim që s’mund ta bëjmë nga interneti. Që ta dija saktë, kërkimin duhet ta bëja nga programi i punonjësve të bibliotekës, që quhet “Aleph 500”. Kërkova aty vepra të Skënderit. Më dolën këta katër tituj: Dhe prapë për ty më ndërrohet mendja (Onufri, 2014), Më vete kam gjithnjë një Evë (Onufri, 2015), Është e imja kjo mbrëmje (Uegen, 2015), Mos m’i merrni mbrëmjet (Onufri, 2017). Dy a tre prej këtyre titujve i kishin edhe dhjetëra biblioteka komunale të Kosovës. Kishin edhe tituj të tjerë që s’i kishte Kombëtarja. Këta libra nuk u janë dhuruar bibliotekave të Kosovës as nga botuesit, as nga autori. I kanë blerë nga taksat e qytetarëve tanë. I kanë pasuruar fondet e veta sepse e kanë detyrim ligjor sipas Ligjit për Biblioteka. Mbani mend, bibliotekat obligohen të blejnë libra, jo të presin dhurata!
Po çfarë bën Shqipëria për autorët dhe botuesit e Kosovës?
S’bën asgjë. Bënin dikur më përpara Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me atë të Kosovës. Shkëmbenin libra nga ekzemplari i detyrueshëm për dorëzim në bibliotekë. Prej atyre pesë copëve që dorëzonin botuesit në bibliotekë, një a dy prej tyre i shkëmbenin bibliotekat kokë për kokë. Më s’e bëjnë këtë punë. Por, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, edhe vogëlushet e saj në gjithë territorin e Kosovës, bëjnë punën që s’e bën as Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, as bijat e saj. Nuk pasurojnë fondin librar me botime nga Kosova, kurse bibliotekat publike të Kosovës blejnë mbi pesëqind mijë euro në vit libra nga botuesit e Shqipërisë. Që ta dini, veprimtari e madhe botuese zhvillohet edhe në Kosovë. Ka botues të mirë, ka të këqij dhe ka shumë të këqij. Të gjithë bashkë, të mirët, të këqijtë dhe shumë të këqijtë, botojnë çdo vit mbi 2 000 tituj të veprave e të librave. Edhe në Shqipëri ka të tillë. S’kam ardhur t’jua shpalos programin e veprimtarisë së tyre, por punën e tyre serioze dhe atë shkel e shko e shoh çdo ditë në bibliotekën që punoj. Kam shumë fjalë të zgjedhura e të pazgjedhura, të hijshme e të pahijshme në mendje për këtë nëpërkëmbje kulturore shqiptare, por që s’mund t’i flas tash, në këtë festë të librit, në këtë “dasmë” të Skënderit. I thashë, këto që i thashë, vetëm që jemi në bibliotekën “Thimi Mitko”, i cili, sa qe gjallë, punonte si bleta, njëjtë si ajo Biblioteka jonë Kombëtare e veshur me hoje të metalta që mbledh libra nga botuesit e Shqipërisë kudo dhe kurdo që dëgjon se është botuar një. Prandaj, më vjen t’ju them, edhe pse nuk po ndihem mirë, ti na ke dashur pakëz, Shqipëri, por duhet të na duash dhe nderosh më shumë, sidomos autorët dhe botuesit.
Gjithashtu, ndihem jashtëzakonisht mirë që Skënderi u është bashkëngjitur 170 autorëve të shtëpisë sime botuese. Sot shtëpia ime është edhe e tij. Atë e zgjodha unë. Atij i shkrova unë. I kërkova dorëshkrim të librit. S’është e turpshme që botuesit të kërkojnë dorëshkrime të librave dhe t’i nxitin autorët e mirë të shkruajnë për ta dhe të bashkëpunojnë me ta.
Paç shëndet të mirë dhe të punoftë koka dhe duart, mik dhe njeri i mirë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jetmir Buçpapa ishte një nga personat e bandës prej 6…