Përfundon rundi i dytë i takimit trepalësh

18 gusht 2022 | 15:47

Në Bruksel ka përfunduar rundi i dytë i bisedimeve trepalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Paraprakisht, pas rundit të parë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë biseduar ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin.

Presidenti i Serbisë u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, u tha gazetarëve se Vuçiq do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut të premten, më 19 gusht.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

Kjo ishte hera e parë që brenda një dite u mbajtën dy takime trepalëshe në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Rundi i parë i takimit trepalësh u mbajt pak pas orës 10:30, dhe ky rund u pasua me takime të ndara të delegacioneve me zyrtarët e BE-së.

Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Sigal Prishtina ka mësuar kundërshtarin potencial në FIBA Cup.…